MTKRS promovon Agoj, album pianistik mbi motive popullore shqiptare
dhe reflektohet mbi vlerat diversitetit kulturor. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me rastin e kësaj dite, organizoi promovimin e librit të financuar me fondet e saj Agoj, album pianistik mbi motive popullore shqiptare. Ky botim i paraprin një sërë masave ligjore që MTKRS po ndërmerr në zbatim të Konventës së Diversitetit të Shprehive Kulturore, shtet anëtar i së cilës Shqipëria që në nëntor të vitit 2006. Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të ministrit Xhaferraj, ku në radhë të parë ai uroi mirëseardhjen në këtë aktivitet për të festuar Ditën Botërore të Diversitetit të Shprehive Kulturore, dhe të organizuar për herë të parë nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës. Diversiteti i kulturave dhe i shprehive, përbën një vlerë të shtuar, për ato shoqëri që e rivlerësojnë atë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Shembulli i Shqipërisë për bashkekzistencën paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare dhe bashkëveprimi i kulturave të tyre që kanë rezultuar në një trashëgimi të pasur që e trashëgojmë të gjithë sot, përbën një dimension të qenësishëm të diversitetit tonë kulturor, nga ku mund të nisemi për ta shtrirë atë në të gjitha nivelet ku prodhohet kulturë,u shpreh ministri Xhaferraj. Trashëgimia shpirtërore, cilësoi ai e transmetuar nga një brez në tjetrin, rikrijohet vazhdimisht nga komunitetet dhe grupet si përgjigje e gjenisë së tyre krijuese ndaj mjedisit rrethues, ndërveprimit të tyre me natyrën dhe historinë, dhe u jep një sens të vazhdimësisë dhe identitetit, duke promovuar kështu respektin për diversitetin kulturor dhe kreativitetin njerëzor. Secili prej nesh influencohet nga kultura e vet, e familjes apo e grupit shoqëror të cilit i përket. Traditat familjare, zakonet, ritet apo praktikat fetare janë të gjitha pjesë të kulturës sonë, dhe mbrojtja e diversitetit të tyre dhe transmetimi brezave të tjerë është jo vetëm detyrë por dhe një mision fisnik që kemi marrë përsipër ta zhvillojmë më tej. Aderimi në Konventën e UNESCO-s, është hapi i parë për realizimin e këtij qëllimi, dhe hapi i dytë për të cilin po punojmë është ndërtimi i një strategjie dhe plan veprimi për diversitetin kulturor, kjo në kuadër dhe të ndihmës financiare dhe organizative të Qeverisë Spanjolle, UNDP-së dhe UNESCO-s, të cilat gjej rastin ti falënderoj, cilësoi më tej ministri. Përshëndetja vazhdoi nga zv.Ministri i Integrimit z. Edmond Hoxha dhe fjala e prof.dr. Fatmir Hysi. Nuk munguan gjithashtu dhe interpretimet në piano me pjesë të librit të promovuar nga nxënës të Liceut Artistik J.Misja. Mbyllja e veprimtarisë vijoi me një kolazh instrumental nga krahina të ndryshme të vendit, interpretuar nga orkestrina popullore e Ansamblit Kombëtarë të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Last Updated on E Premte, 21 Maj 2010 20:06