Urgjenca e Kardiologjisë han me dy porta, pacientët shtrohen në korridore
Sapo futesh në brendësi të spitalit, e të duhet të zbresësh në Urgjencën e Kardiologjisë, syri të zë pacientë që duken sikur do ta marrin mjekimin apo ndihmën e shpejtë mu në mes të korridorit. Barelat e vjetra e serumet e varura në krahët e pacientëve që në
shumë raste marrin ndihmën e shpejtë, në një karrige të vjetër të kujtojnë as më shumë e as më pak vitet e pasluftës, a thua se vendi ynë sapo ka mbijetuar nga lufta e egër. Por lufta e vërtetë brenda këtyre dyerve ku mund të futen i madh e i vogël, pacientë apo jo, të afërm apo edhe qytetarë që duan ti bien shkurt për të dalë nga mëhallat famëkeqe të spitalit, nuk janë asgjë përpara faktit se nëse je rëndë e ke pësuar një atak kardiak e mund të rrezikosh jetën nga sekonda në sekondë duke qëndruar për orë të tëra në pritje pa mundur të gjesh një shtrat ku të mjekohesh. Shkurt edhe saktë, urgjenca e kardiologjisë e për më tepër edhe pavijoni ku janë shtruar të sëmurët me zemër është kthyer kohët e fundit në han me dy porta. Janë vetë mjekët apo edhe infermierët e këtij pavijoni të cilët e deklarojnë hapur se gjendja tepër e nderë e mbipopullimit të urgjencës por edhe të dhomave në pavijonin e kardiologjisë është kthyer tashmë në një makth pa fund. Vetë kryeinfermieri i këtij pavijoni tha dje për gazetën SOT se urgjenca por edhe dhomat në pavijonin e kardiologjisë janë të mbipopulluara dhe ka raste kur një pacienti i duhet të presë me orë e ditë të tëra në urgjencë në pritje të një shtrati. Sipas kryeinfermierit në pavijonin e kardiologjisë të spitalit Nënë Tereza, nuk ka asnjë vend të lirë. Mjafton të përshkosh korridorin që lidh dy paradhomat e urgjencës, për të kuptuar se situata është mjaft e rëndë. luksin për të qëndruar shtrirë, teksa mjekët u bëjnë ekzaminimet e kanë vetëm pacientët që kanë disa ditë aty. Më të rinjve, u duhet që tensionin apo EKG-në ta masin ulur në karrige. Nuk ka mundësi të tjera edhe atëherë kur bluzat e bardha konfirmojnë që problemet me zemrën i kanë të rënda.
Ankesat
Kam 4 ditë që e kam sjellë djalin tim 25 vjeçar, kemi ardhur nga Pogradeci, djali është rëndë duhet ti vendosin aparatin e zemrës por nuk ka vende dhe tani po qëndrojmë në urgjencë që prej katër ditësh thotë për gazetën Drita. G. Sipas saj mjekët i kanë thënë që sapo të lirohet një vend në pavijon djali i saj do të dërgohet menjëherë në katin e sipërm. Më tej një grua rreth të pesëdhjetave përsërit të njëjtat fjalë. Ndryshimi i vetëm është së ajo ka në urgjencë plot një javë. Ndryshe nga herë të tjera, kur të presin me këmbët e para, vetë mjekët ngrenë supet dhe pohojnë gjithçka. Edhe për ta fluksi i ditëve të fundit i pacientëve me ambientet e pamjaftueshme është i vështirë të përballohet. Ka mesatarisht 100 raste që kërkojnë ndihmën e shpejtë në urgjencë brenda ditës, tha një prej infermiereve të urgjencës. Sipas saj shtretërit e urgjencës edhe pse janë shtuar kohët e fundit dhe kanë arritur deri në 20 të tillë sërish disa prej pacientëve duhet të qëndrojnë me orë të tëra në korridor ku aty në shumë raste ju jepet edhe ndihma e parë, deri në rastin kur lirohet një prej vendeve brenda në ambientet e urgjencës. Në korridor nuk mund tu shmangesh as familjarëve, të cilët shfryjnë me zë të lartë mllefin që kanë. Nuk është normale. Këta të sëmurë kanë nevojë për qetësi. Nuk mund të lihen në urgjencë, ku hyjnë e dalin njerëz pa fund. Nuk është faji jonë që nuk ka vende të lira, skemi ardhur për qejf këtu, thotë njëra prej familjarëve. Por në mungesë të një vendi në pavijon a në urgjencë, dhjetëra pacientëve u duhet të kthehen në shtëpi. Këto lëvizje lart e poshtë, disave mund tu kushtojnë shumë. Më thanë të qëndroja të paktën sot tek ai stoli atje, por e kam të pamundur, kartelën e kam të hapur dhe po kthehem sërish nesër, thotë njëri prej të sëmurëve. Me gjithë predispozitën për të dhënë ndihmën e parë, mjekët nuk kanë nga ja mbajnë. Nuk është në dorën e tyre sigurimi i një shtrati të lirë në pavijon. Zgjidhja duhet të vijë nga më lart. Të sëmurët kardiak kanë shumë probleme në stinët kur ndryshojnë temperaturat dhe kanë nevojë për mjekime, ndaj edhe fluksi është tepër i madh. Një tjetër arsye pse ka kaq shumë fluks është se, të gjithë pacientët e sëmurë nuk shkojë për vizitë apo kontrolle te mjeku i familjes por vijnë direk këtu.
Arta AGOLLI