Shtrenjtohen kreditë, bankat rrisin interesat me 0.6 për qind
Rriten me 0.6 për qind normat e interesit për kredive në lekë. Statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se për tre muajt e parë të vitit 2010 interesat e kredive të reja në lekë, kanë ardhur në rritje, duke arritur në normën 12.66% në muajin mars.
Që nga dhjetori i vitit 2009, normat e interesit të kredive në lekë janë rritur me 0.6 pikë përqindjeje. Kreditë nuk po reflektojnë aspak çlirimin e kushteve monetare, që nisi me uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor dhe që u transmetua në uljen e normave të interesit të Bonove të Thesarit gjatë muajve në vazhdim. Megjithëse kreditë bankare përgjithësisht kuotohen mbi bazën e interesave të bonove të thesarit, plus një marzh interesi fiks, rritja e interesave totale shpjegohet me rritjen e marzheve fikse nga ana e bankave.
Kreditë
Kreditë në lekë janë shtrenjtuar me 0.6 për qind në tre muajt e parë të vitit 2010. Rritja kostos së kredisë është diktuar nga bankat e nivelit të dytë pasi kanë rritur marzhin e fitimit në kreditimin me monedhën vendase. Ekspertët shpjegojnë se individët që i drejtohen bankave për të marrë para hua janë të detyruar të kërkojnë kredi në monedhën vendase për shkak se të ardhurat i kanë në lek dhe normat e interesit të euros janë shumë të luhatshme. Rritja e percpetimit të rrezikut nga bankat duket se ka ndikuar në rritjen e këtyre marzheve dhe kjo bën që edhe kosto e kredisë në lekë për publikun të rritet. Këto rezultate tregojnë se synimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e kredisë nëpërmjet një politike monetare me nuanca të moderuara ekspasioniste, ende nuk po rezulton i suksesshëm. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2009 është rritur numri i kredive të këqija. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të kija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga gjithë kredia e dhënë për ekonominë në vite është korrekte dhe shlyhet rregullisht vetëm 82 për qind e saj. Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga banka qendrore mësohet se brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija. Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.
Ecuria e ekonomisë
Zhvillimet ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 kanë qenë në linjë me ato të tremujorit paraardhës. Megjithëse të dhënat e disponueshme janë të pakta, analizat tona konkludojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka qenë relativisht i ngadaltë. Kjo ecuri është ndikuar nga niveli i ulët i investimeve private, ritmet e njëtrajtshme të shpenzimeve konsumatore dhe zbutja e efektit të stimulit fiskal. Eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të shpejtë gjatë tremujorit të parë të vitit, të ndikuar edhe nga përmirësimi i vazhdueshëm i ekonomisë botërore. Gjithsesi, si pasojë e peshës relativisht të ulët në
PBB, ndikimi i tyre në rritjen ekonomike rezulton i vogël. Tregjet financiare dhe treguesit monetarë kanë patur zhvillime inkurajuese në këtë periudhë. Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndikuar në qetësimin e pritjeve inflacioniste dhe në ecurinë më të balancuar të sektorit të jashtëm të ekonomisë. Ulja e fundit e normës bazë të interesit është reflektuar e plotë tashmë në normat e interesit të tregut ndërbankar dhe në ato të letrave me vlerë të qeverisë. Në një shkallë më të vogël, ajo është përcjellë edhe në normat e interesit të depozitave dhe të kredive në lekë. Injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit ka ndihmuar gjithashtu në zbutjen e primeve të rrezikut, duke mbështetur e plotësuar politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Ornela Manjani