E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MV – Procedura hetimore kundër 30 personave për zjarrin në Koçan

SHKUP, 21 mars /ATSH-MIA/ – Prokuroria Themelore Publike e Koçanit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurave hetimore kundër 27 personave fizikë dhe tre personave juridikë lidhur me zjarrin katastrofik në Koçan.

Detajet për hetimin, të dyshuarit dhe masat e propozuara për siguri, siç është paralajmëruar do të jepen sot pasdite në një konferencë për median.

Gjykata Themelore në Koçan, më herët ka marrë vendim me të cilin u shqiptua 30 ditë paraburgim për 13 persona mes të cilëve edhe për ish-ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Për gjashtë të dyshuarit e tjerë për të cilët më herët u caktua gjithashtu masa e paraburgimit afatshkurtër prej 48 orë, gjykata do të vendosë gjatë ditës.

Prokuroria dhe policia mbrëmë kanë zhvilluar aksion për arrestimin e personave të dyshuar për të cilët ekziston dyshim për përfshirje në incidentin me zjarrin, pas së cilës Prokuroria publike paralajmëroi do të japë informacion. Në hetime, deri para arrestimit të tre ish-kryetarëve të komunave, u përfshinë 28 persona.

Tashmë është hapur hetim dhe është caktuar paraburgim prej 30 ditësh për shtatë nëpunës zyrtarë, punonjës të SPB së Shtip dhe Koçan të cilët dyshohet se si bashkëpunëtorë, duke përgatitur, nënshkruar dhe miratuar pëlqim pozitiv i kanë mundësuar personit juridik që të pajiset me licencë për kryerjen e veprimtarive hotelerike-kabare edhe pse objekti nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për punë.

Në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan më 16 mars jetën e humbën 59 persona, ndërsa rreth 200 u plagosën. Viktimat të cilët janë të moshës prej 16 deri në 48 vjeç, dje janë varrosur në Koçan, Shtip, Strumicë dhe Shkup./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›