MV – Shtatë ditë zi kombëtare për viktimat nga aksidenti tragjik në Koçan

SHKUP, 17 mars /ATSH-MIA/ – Në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik në Koçan, nga sot në mbarë vendin janë shpallur shtatë ditë zi.
Flamuri kombëtar i vendit do të jetë sot në gjysmështizë.
Ky vendim është marrë në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike që ndodhi mëngjesin e djeshëm në Komunën e Koçanit, ku 59 të rinj humbën jetën në një incident fatkeq gjatë zjarrit në një diskotekë, ndërsa mbi 100 persona janë shtruar në spital dhe po marrin kujdes mjekësor.
Të gjithë duhet t’i përmbahen vendimit sepse dënimet për mosrespektim do të jenë rigoroze.
“Nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e humbjes së pariparueshme. I gjithë ekipi shëndetësor dhe mjekësor në të gjitha institucionet shëndetësore është në dispozicion dhe ofron kujdes shëndetësor dhe ndihmë për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe pikëlluese për mbarë popullin e Maqedonisë, kërkojmë që rasti të mos politizohet, në mënyrë që institucionet të ndriçojnë rastin në kohë dhe në mënyrën e duhur. Asnjë informacion nuk do të fshihet nga syri i opinionit”, theksohet në një deklaratë të qeverisë maqedonase.
Të gjitha ngjarjet e planifikuara në institucionet në fushën e kulturës gjatë kësaj javë anulohen, informuan nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA) dje përmes kumtesës u theksoi mediave se duhet të harmonizojnë punën e tyre me ditët e zisë.
“Mediat të transmetojnë/publikojnë përmbajtje që për nga funksioni mediatik janë të përshtatshme për ditët e zisë. Muzika që ata do të transmetojnë duhet të jetë nga zhanret muzikore të përshtatshme për ditët e zisë, ndërsa transmetimi i emisioneve argëtuese, humoristike apo programeve nga zhanri i komedisë duhet të shtyhen deri në përfundimin e tyre. Në të njëjtën kohë, deri në fund të ditëve të zisë duhet të shtyhet edhe transmetimi i reklamave, gjegjësisht të gjitha format e komunikimeve komerciale”, theksojnë nga ASHMAA./ /os/