MËVETËSIA LETRARE E MARTIN CAMAJT*
Shkrimtaria është një short që i bie për hise kujtdo, që e ka të pranishëm gramin e gjenisë krijuese, si dhe pasionin e lëmimit të talentit, por fort rrallë ngjet që krijimtaria e një autori, pavarësisht llojeve dhe tipologjisë shkrimore, të barti dhe shenjojë në qerthullin e vet një dukuri letrare, njëherit të mëvetësishme dhe të vetvetishme. Me këto terma, domethënës dhe shenjues, letrarë dhe gjuhësorë, estetikë dhe eksperimentalë, pra si një dukuri e përveçme letrare, shënohet gjithçka e sendërtuar prej tij, e sidomos tiparet e veçanta të asaj krijimtarie, duke mbetur ende në arealin e letrave shqipe, më tepër një prani e papranishme, një term i U. Ecos, e cila zë fill në dheun amë, e mandej ngjizet më së shumti nëpër disa vatra të qytetërimit evropian, duke formatuar kështu mjeshtrin e shkrimit letrar. Me një fjalë, Camaj dhe vepra e gjerë dhe plotë larmi e tij, është një Atlantidë e pranishme me papraninë e saj në letrat shqipe, një Atlantidë e zbuluar kësaj ndërkohjeje, që megjithatë pret të zbulohet gjithnjë e më shumë prej leximeve reale të tekstit, një Atlantidë e rigjetun, ku ngjizet arti dhe vlerat letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësionore. Këto tipare shkrimore të njëmendta, e shndërrojnë veprën e gjerë letrare në një model artistik të spikatur dhe rrezatues edhe në këndej kohën. Në radhën e shkrimtarëve të letrares bashkëkohore, jo thjesht si bashkëkohësi dhe mentalitet shprehimor, por me tepër si frymim dhe alkimi e fjalës, ndonëse të papranishëm me jetën dhe veprën e tyre për shumë kohë, dhe mjerisht edhe tani të munguar, e që formojnë realisht dukuri të këtillë letrare, bën pjesë edhe Martin Camaj, i cili shëmbëllen gjasën se edhe në vetmi dhe mërgim, në harrim dhe pamundësi kthimi, malli i shtampës, siç e pati përjetuar P. Bogdani, ose prushi i artit, që ta përndriton udhën e gjatë të lërimit dhe ligjërimit të shqipes, si shkencë dhe magji letrare, si poezi dhe prozë, si dramë dhe studim i thelluar gjuhësor dhe letrar, padyshim me veçanësinë e ligjërimit të pandërprerë të variantit të gegnishtes, por në disa raste edhe i thithjes dhe ligjërimit të arbërishtes. Padyshim, në punët e letrave shqipe dhe të gjuhës, të kërkimit dhe eksperimentit shkrimor, në dallim nga të tjerët Martin Camaj njëri prej shkrimtarëve të gjithanshëm të letrave shqipe të pjesës së dytë të shekullit të njëzet, ku magjia estetike fle në tekstet e poezisë, prozës dhe dramës, studimeve gjuhësore dhe letrare. Qenësia e tij, shkrimore dhe vetjake, letrare dhe gjuhësore, shkencore dhe krijuese, në kuptimin e kumteve dhe të shprehësisë letrare, kumbimeve dhe artit të përcjellë, si njëra prej dukurive më të veçanta të letrave shqipe moderne, në të gjithë pentagramin dhe alternativat letrare të shekullit të kaluar, natyrisht të letrares me tezë dhe pa tezë, të letrares së angazhuar dhe krejt të pastër, të letrares zyrtare dhe antizyrtare, të letrares që i shpërfill edhe këto dy akse të natyrës përjashtuese, pra kryesisht të letrares së mirëfilltë, pra që e tejkalon tezën, angazhimin dhe shërbesën, dhe që sendërton magjinë shkrimore, të përveçme dhe dëshmi e kërkimit dhe shenjimit të letrares, lidhet më dy aspekte të mbijetesës së ligjërimit të gjuhës shqipe:
Së pari: Me vijimësinë e shkrimit të variantit të gegnishtes letrare, madje si një koine e pastër artistike, padyshim e dialektit më të hershëm të dëshmuar si shkrim letrar dhe gjuhësor edhe me libra të mirëfilltë, ku përfshihen librat e Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit etj., një shenjë dhe tregues lartues dhe i qartë i jetës dhe veprës së gjerë të autorit, madje si një gjurmë e përveçuar dhe thelbësore e ligjërimit letrar, shkencor dhe gjuhësor, se edhe në kushtet e pamundshme ekzistenciale, pra të prangimit dhe ndalimit të një varianti të hershëm si gegnishtja nga koha dhe zyrtariteti i diktaturës, letrarja e vazhdon funksionimin e vetë të fuqishëm nëse gjeniu krijues ka se çfarë thotë dhe të shpërfaqë, ashtu siç ndodhi me krijimtarinë e gjerë dhe plot larmi letrare të M. Camajt. Fytyra e krijuesit, të letrares më përtej zyrtaritetit dhe antizyrtaritetit, parullës dhe antiparullës, madje dhe kryesisht e shenjimit të letrares, skalitet pa përjashtim në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, madje si me rrallë autor të letërsisë shqipe të kohëve moderne, e gati nëpër të gjitha llojet dhe nënllojet letrarë, të pranishëm në këto kohëra, aq sa sido që ta hartojmë panteonin letrar ose hartografinë e gjasave letrare, prania e tij na fakt i bën nder panteonit të letërsisë shqipe, ndërsa mungesa e tij, si emër dhe vepër artistike, lë hapësira të pambushura në hartografinë e letrave shqipe. Shkrimi letrar i variantit të gegnishtes, pandarazi me të edhe rigjallërimi i arbërishtes, sidomos në kuptimin dhe dëshminë leksikore, nuk është një tregues formal dhe rastësor, ekzotik dhe kundërshtues i marrisë zyrtare të sistemit të diktaturës për të goditur dhe shkallmuar, me qëllim të mirëmenduar gegnishten, arbërishten dhe në disa aspekte edhe vetë toskërishten, veçmas në ngjyresat e shqiptimit aq të thekur, përmbi të cilën është ngritur gjuha e njësuar, natyrisht me shtytësa gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë. Vetëdija shkrimore e ligjërimit me këtë variant të teksteve letrarë dhe joletrarë, dëshmohet më së shumti edhe prej faktit të shkrimit të disa teksteve që kanë vënë në qendër analizën dhe shqyrtimin e vlerave gjuhësore të gegnishtes dhe arbërishtes, çka kulmohet me hartimin e Gramatikës së Gegnishtes, një fakt ky thelbësor dhe i pakundërshtueshëm për një sipërmarrje të vetëdijshme për të garantuar vijimësinë e lëvrimit të këtij dialekti, një dëshmi autentike e funksionimit të këtij varianti jo vetëm si shenja literaliteti, por më tepër si një degëzim i kultivuar dhe i studiuar në thellësi të ekzistencës së vetë, në diakroni dhe sinkroni, si dhe një shembull i qartë i moskonformizmi dhe vijimi i betejës për tia rikthyer nderin gegnishtes e po kaq edhe arbërishtes, dy dialekteve që promovuan shqipen si gjuhë kulture, shkence dhe letërsie dhe që realizuan faqe nga më të fuqishmet në letërsinë tonë, në të kaluarën dhe në bashkëkohësi. Një tregues tjetër, gjuhësor dhe shkencor, i vlerësimit të variantit të gegnishtes nga M. Camaj, është edhe mbrojtja e temës së disertacionit me Mesharin e Buzukut, gjatë kohës që studionte në Beograd, si për të kërkuar dhe shënuar gjurmët e zanafillës së shkrimit të gjuhës shqipe. Kjo përvojë, thelbore e mbijetesës së shqipes, kohë më pas, nga M. Camaj, kthehet në një sprovë të magjishme të ligjërimit poetik, siç është rasti i shkrimit të përmbledhjes Palimpsest, njëra prej gjurmëve të letrave shqipe në lëvrimin e poezisë moderne. Nuk diskutohet që në këto tregues të vlertë, të ndihmesës së dhënë prej tij për ta zhvilluar dhe përtërirë traditën e vyer të shkrimit të gjuhës shqipe, pikërisht me këtë variant, po edhe në risjelljen e dhjetëra fjalësh të arbërishtes, në larmitë e lëvrimit të shkrimit letrar dhe patjetër edhe të shkrimit shkencor, na zbulohet vetëdija shkencore e gjuhëtarit/shkencëtarit të thekur, e gërshetuar me vetëdijen e letërorit/shkrimtarit të spikatur dhe krejt të përveçëm, që e shpallë kredonë e tij si urë komunikimi dhe ndërlidhjeje me të gjitha vlerat e mëhershme të ligjërimit të shqipes si shenjë letrare, madje me të gjitha trevat e ligjërimit shqip, që guxon dhe sprovon të gjitha fushat e shkrimit letrar dhe shkencor, një vetëdije bashkëkohore, gjuhësore dhe letrare, shkencore dhe argumentuese, që e lë të hapur procesin e lërimit dhe të lëvrimit të variantit të gegnishtes edhe atij të arbërishtes, por edhe e shtron për zgjidhje shansin dhe gjasat e shkrimit letrar, pra e gjuhës së letërsisë edhe me këto variante, por edhe të tjera të pranishme, sepse në fakt realisht vijon mbijetesa e tyre në të folme dhe në të shkruar.
Së dyti: Me ngritjen e nivelit të shkrimit letrar dhe gjuhësor me anë të variantit të gegnishtes (jo më pak të arbërishtes), tashmë në një stad tjetër, sidomos në krijimtarinë e M. Camajt, ku edhe shenjohen dëshmi dhe prurje të habitshme në teknikën shkrimore, në shprehësinë artistike, e veçmas në fjalësinë e endur mrekullisht, që përbën një rebus letrar dhe g