E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e “shpëtimit” të një relikeje

Ruhet në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë, por pak kush e di historinë e saj. Madje edhe vetë punonjësit e Muzeut në Krujë rrudhin supet e duket se kanë shumë pak për të thënë rreth kësaj kambane.

Zë fill që në kohën e Skënderbeut dhe sot është një prej atyre relikteve që mbart me vete gjurmë të emrave dhe kohës përgjatë së cilës ka “udhëtuar”.

Ishte viti 1901 kur A. Degrand, konsulli francez i Shkodrës botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe për dy kambana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Skënderbeut, e derdhur në bronz në vitin 1462, me përzierje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikteve e antikuarëve dhe iu propozua agait të qytetit të Krujës, Muharrem Kaloshi shuma prej 25 napolonash flori me kusht, që ta dërgonte kambanën e Skënderbeut në Barbullush. Sipas trafikantëve, nga Barbullushi ishte rruga më e lehtë për trafikantët me anë të detit, sepse edhe në kohën e pushtimit turk objekte të tilla nuk dilnin kollaj nga portet e doganat e Perandorisë.

I mirinformuar Gjeçovi, prift i fshatit të humbur e të varfër, Laçit të Kurbinit i vihet punës për ta futur në dorë këtë relikte të çmuar për t’ua lënë trashëgim shqiptarëve si shenjë e epokës së lavdishme të tyre. Vrapon tek Muharrem Aga, hyn në pazar dhe bie dakord për një çmim prej 15 napolonash, me kusht, që kambanën ta marrë vetë Gjeçovi nga Kruja. Se si i gjeti e i sajoi Gjeçovi 15 napolonat nuk dimë, por vetë ai më 1901 shkruan: “Në të vërtetë unë nuk mund ta paguaj edhe sikur të shisja vetën time”.

Megjithatë, e bleu kambanën, e fshehu mirë, siç pohon vetë dhe i shkruan konsullit austro-hungarez në Durrës, ku i kërkonte instruksione. Ranë dakord dhe u bë kontrata që kambanën do ta ruante konti austriak Kiuatkovvski dhe do t’i kthehej Krujës kur të rindërtohej kisha e Kështjellës.

Kambana udhëtoi drejt Durrësit dhe më vonë drejt Vjenës. Në vitin 1923, më 28 nëntor në Tiranë u hap për herë të parë Muzeu Kombëtar Shqiptar. Gjeçovi ngriti peshë me letra herë ambasadën austriake, e herë vetë qeverinë e Vjenës deri sa ja arriti qëllimit. Kambana erdhi, por me vonesë. Nga Vjena iu dërgua ambasadës tonë në Romë dhe në dhjetor 1923 arriti në Tiranë.

Gjeçovi nga Shkodra vrapon për ta parë me sytë e tij dhe për ta saktësuar, që është ajo. Me këtë rast bëri dhe një vizatim në dy pamjet, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor. Megjithatë, odiseja nuk mbaron këtu. Muzeu i Tiranës shkatërrohet, Gjeçovi vjen në Tiranë, merr kambanën dhe e çon në Shkodër. Vetëm pas Luftës së Dytë ajo kthehet prapë në Tiranë, për t’u dërguar më në fund në Muzeun e Krujës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›