E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtimi i Alonsos: Do ta mbyll karrierën te Ferrari

Spanjolli

“Objektivi im kryesor? Të fitoj titullin kampion”. Fernando Alonso e ka të qartë se çfarë dëshiron të arrijë në vitin e tij të parë me Ferrarin. Spanjolli, i cili ishte pasardhësi i Kimi Raikonen te “kokëkuqja”, nuk i fsheh ambiciet për Botërorin 2010 në Formula 1. “Ditët e para që kam kaluar si pilot i Ferrarit ishin fantastike. Masa dhe Fizikela më kanë ndihmuar shumë që të ambientohesha me makinën e re”, deklaroi Alonso. “Mund t’ju them me 100 për qind siguri se kjo do të jetë skuadra ime e fundit në karrierë. Tashmë jam më i përgatitur sesa në periudhën kur garoja me Renault, ndihem plotësisht gati për këtë sfidë të re. Ferrari është një markë që njihet në të gjithë botën dhe jemi të detyruar të fitojmë”. Në konferencën e parë zyrtare si pilot i prodhuesit nga Maranelo, Alonso ka folur edhe për Mikael Shumaker dhe titujt e fituar prej gjermanit: “Mendoj se është e vështirë, për të mos thënë e pamundur që në ditët e sotme të fitosh shtatë tituj në F.1. Natyrisht, në vitet që do të garoj me Ferrarin do të bëj të pamundurën të fitoj sa më shumë. Rikthimi i Shumit? Ishte një mundësi e mirë për të, mendonte se është gati. Jam i lumtur për Mikaelin dhe mendoj se rikthimi i tij është mjaft pozitiv”. Në fund edhe dy fjalë për marrëdhënien me Felipe Masën: “Nuk kam kërkuar asnjëherë të trajtohem si pilot i parë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›