MacShane: Raporti i Martit, turp për Këshillin e Evropës

Këto komente diplomati britanik i bëri gjatë një debati në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), ku përveç tjerash ka folur edhe për të ashtuquajturin “Ahtisaari Plus”, e ndërkohë i ka bërë publicitet librit të tij për Kosovën “Why Kosovo still matters – Pse Kosova ende është çështje e rëndësishme”.
Me këtë rast, MacShane ka thënë se raporti i Dick Martit, në të cilin përveç udhëheqësve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përfshirë në akuza edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi për trafikim me organe njerëzore, kishte qëllime propagandistike pa kurrfarë konfirmimesh konkrete.
“Është një episod i turpshëm për Këshillin e Evropës, për ta lejuar këtë raport të dalë pa ndonjë dëshmi. Kjo duket si një bujë ndërkombëtare me qëllime propagandistike pa pasur ndonjë dëshmi konkrete ose dëshmitar për të konfirmuar këto supozime”, ka thënë MacShane.
Ndërkohë, ai ka folur edhe për planin e Ahtisaarit, i pyetur nga studentët lidhur me deklaratat e tij të bëra ditë më parë, përmes së cilave i ka dhënë mbështetje një “Ahtisaari Plus” për veriun.
Ish-ministri britanik ka thënë se nuk është se ka folur për ndonjë plan Ahtisaari plus apo minus, porse ka folur për çështje praktike që kanë të bëjnë me veriun e vendit.
Ai ka thënë se ajo që ka mbështetur gjatë një interviste dhënë ditë më parë, ka qenë fakti që në interes të Kosovës është që të marrë shembuj të ndryshëm të Evropës që garantojnë autonomi për pjesë të ndryshme, sikur që janë kantonet e Zvicrës, të cilat kanë autonomi në fusha të ndryshme.
“Kështu që unë nuk jam duke folur për Ahtisaari plus ose minus. Me rëndësi është që dialogu të vazhdojë dhe zyrtarët e BE-së dhe Brukselit janë shumë të qartë në këtë pikë për të pasur një dialog konstruktiv”, ka thënë MacShane, duke përsëritur nevojën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së për çështje praktike në veri të Kosovës.
I pyetur nëse Serbisë duhet vënë kushte të forta për të ecur rrugës drejt statusit të kandidatit për anëtare të Bashkimit Evropian, McShain ka rikujtuar deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel bërë në Beograd gjatë konferencës me presidentin serb Boris Tadiç.
“Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka thënë shumë qartë dhe haptazi në Beograd në konferencën e shtypit me presidentin Tadiç, se Serbia nuk do t’i bashkohet BE-së, derisa mos t’i shpërbëjë strukturat ilegale paralele në veri të Kosovës. Kjo është një deklaratë shumë e qartë”, ka thënë MacShane.
Mbi të gjitha, gjatë ligjëratës së tij, McShain ka kërkuar më shumë angazhim për zhvillimin ekonomik të vendit, duke përsëritur disa herë se vetëm zhvillimi ekonomik është ai që i tejkalon edhe problemet politike.
Ai ka kërkuar nga të rinjtë më shumë angazhim, që ta marrin jetën e tyre në dorë, por ndërkohë i pyetur nga studentët se çfarë duhet bërë për të tejkaluar ndryshimin aq të madh mes gjeneratave në Kosovë, MacShane ka thënë me shaka “veç nëse i vrisni prindërit tuaj”.
Sidoqoftë, ish-ministri britanik ka rikujtuar se Kosova vazhdon të udhëhiqet nga njerëz të rinjë në politikë, duke thënë se edhe kryeministri aktual Hashim Thaçi, por edhe të tjerët i përkasin kësaj gjenerate të re./kosovapress/