E Hënë, 2 Nëntor 2026

Macaj: Qeveria asnjë shërbim policëve të burgjeve, presione për vota

valentin-macajBruksel- Federata Botërore e Sindikatave ka zhvilluar sot një konferencë në Parlamenti Evropian, ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit shqiptarë.

Kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, Valentin Macaj, ka deklaruar se qeveria ka kundërshtuar Kontratën Kolektive të punës, ndërsa u shpreh se prej vitesh mungon shërbimi ndaj efektivëve të burgjeve.

“Policia e burgjeve ka 6 vite që nuk merr uniformë shërbimi sipas ligjit. Ka 7 vite që nuk merr trajtim ushqimor sipas ligjit. Ka 8 vite që nuk merr kompensim transporti. Policia e burgjeve nuk paguhet për vjetërsinë në punë. Policia e burgjeve nuk përfiton kompensim vjetor të pagës së 13-të. Pra mungesa e Kontratës kolektive të punës dhe kontratat individuale ju heqin të drejtat themelore anëtarëve tanë edhe pse janë të njohura me ligj”,- tha ai.

Më tej ai ka thënë se drejtuesit e burgjeve janë duke u bërë presion punonjësve që të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme që zhvillon Partia Demokratike. Gjithashtu ata u kërkojnë të votojnë për të dhe të bindin edhe të afërmit të bëjnë të njëjtën gjë.

“Vetëm para ca ditësh kam denoncuar faktin se drejtues të burgjeve kanë filluar të bëjnë presion mbi anëtarët tanë për të marrë pjesë në takime elektorale, për të deklaruar votën dhe numrin e votave të familjarëve”,- vijoi Macaj.

Ai tha se zyrtarët përkatës nuk i janë përgjigjur kërkesave të bëra nga sindikata, por janë kundërpërgjigjur duke i denoncuar në gjykatë. Kjo sipas tij bëhet për të frikësuar dhe dekurajuar në profesionin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›