Maçokët enveristë do të bunkerizojnë të vërtetën e humbjes!

E dalë nga mitra e përgjakur e PPSH-së, PS-ja “liberale” nuk mund të mos shfaqej diktatoriale. Të gjithë mëkatarët ndiejnë nevojën e bunkerizimit të së vërtetës. Se fshehja e saj sikur ua pakëson frikën e ndëshkimit për zullumet që kanë kryer. Duke u ndierë strucër, mëkatarët fshihen si kërmilli nën guaskë. Por, nuk mund të kuptohet bunkerizimi i PS-së pa njohur frikën e vetë diktaturës së tmershme enveriste. Të gjitha tiranitë turfullojnë si të forta pikërisht pse ndihet të dobëta. Ato tuten edhe prej njerëzve të tyre. Ato bëjnë thirrje për sakrifica që të akuzojnë vetë skllevërit si shkaktarë të mjerimit. Dhe njerëzit, për t’i shpëtuar dhunës së tiranisë, mallkuan tërë jetën njëri-tjetrin. Diktatura komuniste mbeti simbol i depersonalizimit të njeriut. “Pathyeshmëria” e saj u sigurua prej cinizmit ndaj qytetarëve të vet. Ajo i çmonte të gjithë këta si “kapital i çmuar” dhe të gjithë i përdorte si “mish për top”, që të mbrohej vetë. Duke jetuar vazhdimisht nën terror, diktatori e kishte të nevojshme t’i mbante njerëzit në tension. Ai qetësohej vetëm, kur shihte që shoqëria jetonte me ankthin e një rreziku imagjinar. Duke lënguar nga mania e persekutimit, diktatori u futi njerëzve tmerrin e një sulmi të befasishëm. I detyroi ata të stërviteshhin për luftë, edhe pse asnjë rrezik real nuk u vu re nga të terrorizuarit e pafajshëm. Megjithatë, diktatori urdhëroi të ndërtoheshin kudo bunkerë, madje aq të tillë, sa, me shpenzimet për ta, mund të strehohej gjithë Shqipëria. Por diktatura me qëllim e kishte ngritur flijimin në qëllim të jetës së gjithsecilit. Të gjithë duhej të ndiheshin të lumtur, kur privonin veten për një të ardhme, së cilës nuk ia panë një herë hairin. Kurse bunkerët vazhdonin të ndërtoheshin me seriozitetin e një vendi në luftë të përditshme. Bunkerizimi i Shqipërisë ishte, pra, ana e dukshme e mbylljes së saj për shkak të një armiku imagjinar, që konsiderohej i rrezikshëm, pikërisht pse nuk gjendej gjëkundi. Bunkerët e diktaturës kanë mbetur sot si ca breshka të ngordhura, zhgualli i të cilave do t’u tregojë brezave absurditetin e atij terrori të kotë, që tirani e prodhonte nga frika e tij instinktive, shkaktuar prej gjëmave që kryente çdo ditë.
Bunkerizimi mbeti, pra, një simbol i mbylljes së shoqërisë, i padrejtësisë së sistemit të saj, i frikës së bandës së saj të hajdutëve, që e ndienin veten të kërcënuar në një shoqëri të hapur. Këtë mentalitet terrori permanent dhe frike imagjinare, këtë kompleks inferioriteti dhe pasigurie për të nesërmen të P.P.Sh.-së e trashëgon sot P.S.-ja, e cila po përjeton sot krizën më të thellë të identitetit të saj. Si trashëgimtare e një “nëne” mizore, në fillim u shtir progresiste, e reformuar, novatore, liberale dhe konstruktive. Por, duke mos gjetur forca të dënonte krimin komunist, a të kërkonte falje për genocidin, të respektonte tolerancën fisnike të viktimave, P.S.-ja mbeti peng i bunkerizimit të saj të përhershëm. Dhe vërtet, sa më fort klithi për liberalizëm, aq më konsevatore u bë ajo në të vërtetë. Kjo “lokomotivë”, që po tregon se manifeston inercinë fatale të mënxyrës komuniste, mbeti peng i mentalitetit të diktatit, të mbylljes, të frikës nga debati, nga transparenca, nga mendimi ndryshe dhe nga gjithë alternativat përtëritëse. Me këtë frymë “uniteti” fals dhe me këtë solidaritet të “kopaçes”; me këto interesa të ndyra mafioze, P.S.-ja do të paraqitet në kongresin e saj të jashtëzakonshëm, me të gjitha ovacionet e humbësit “fitimtar”, të hajdutit të ndershëm, të viktimës që, gjoja i paskan vjedhur votat. Në këtë kongres P.S.-ja do të tregojë sheshit se enverizmi nuk ka vdekur, se krimet e komunizmit janë të justifikuara, se viktimat e diktaturës janë të përligjura. Ajo do të vërtetojë se të pafajshmit e zhdukur barbarisht janë fajtorë, se paskan shkelur ligjet e djallit; se hajdutët socialistë nuk njohin vullnet sovrani dhe se ata mallkojnë edhe komisionerët e tyre, që u treguan të ndershëm duke firmosur procesverbalet e rregullta. E gjithë fryma diktatoriale, izoluese, gjithë terrori i brendshëm psikologjik trashëgohet në P.S. që nga koha, kur partia ishte shteti dhe kur vendi qeverisej me qarkore partie.
Ndërkohë që socialistët kanë pritur të shihnin një kongres ku, pas analizash serioze, të largohej fajtori i humbjes së zgjedhjeve dhe statuti i partisë të trajtohej si Kushtetuta e saj, ata dëgjuan gjithandej deklarata servilësh, që i trimëroheshin sovranit se do të mohonin vullnetin e tij, duke mos i njohur zgjedhjet dhe se, duke rizgjedhur humbësin, do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, qeverí teknike, e tj. Do të prishin, pra, kështu imazhin e mirë, që krijoi populli me këto zgjedhje të lira, më të mirat e zhvilluara që nga fillimi i tranzicionit. Shkurt, socialistët e ndershëm kanë për të mbetur me gojën hapur, kur të shohin në kongres një bunkerizim enverist të së vërtetës, një atmosferë të frikshme, një mungesë lirie individuale, një mohim të alternativave, një injorim të rafinuar të ndryshimeve statutore, një procedim qesharak votimi kandidatësh formalë, e tj. Shkurt, kur të shohin një kongres, ku delegatët do të druhen nga njëri-tjetri, do t’i sevilosen humbësit të zgjedhjeve, do t’u bëjnë Hosaná mbështetësve të tij të komprometuar! Se, prapa këtij bunkerizimi do të jenë klanet e hajdutëve miliarderë, që e kanë bërë “çiflik” të tyre Shqipërinë. Do të fshihen gjithë ata, që nuk duan dritë, transparencë, demokraci të brendshme në P.S. Do të jenë, pra, mafiozët, që e prunë në krye të P.S.-së Edvin Ramën. Këta që po e urdhërojnë sot të zhvillojë një kongres, ku të përjetësohet fryma e diktatit, e grabitjes së pronës së tjetrit, e pasurimit të paligjshëm, e korruptimit të shtetit dhe komprometimit të drejtësisë. Të gjithë socialistët e ndershëm do të habiten, kur të shohin se sa të vështirë e ka P.S.-ja e sotme të dalë nga pelenat e krimit të djeshëm, nga mëkatet e korrupsionit, që ajo, kur qe në pushtet, e shndërroi në sistem. Megjithatë, as ky kongres “madhështor” e gjëmues, ky manifestim i forcës së ligësisë dhe paturpësisë, nuk do të mundin ta shpëtojnë nga frika instinktive bandën kriminale, që organizon të tilla demostrime artificiale pushteti për t’i bërë njerëzit e ndershëm t’i nënshtrohen dhunës së hajdutëve me çizme të Ali Babait ! Ky kongres ka për të realizuar vetëm përçarjen përfundimtare të P.S.-së, midis atyre që tentojnë të bëjnë sot një P.S. europiane dhe atyre të tjerëve që kërkojnë bunkerizimin e së vërtetës në një kohë, kur e djathta e ka futur Shqipërínë në NATO dhe po gatit anëtarësimin e saj në B.E. !...
...