E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apologjetët e Ramës bien në kontradiktë të pashmangshme

Para disa ditësh, në njërën nga gazetat e përditshme që vjellin vrer kundër PD-së dhe së djathtës në përgjithësi, në rubrikën “Opinion” botohet një artikull për t’i dalë në mbrojtje Ramës. Na duket e panevojshme të citojmë emrin e autorit dhe, po ashtu, atë të gazetës. Kjo e fundit mund të merret me mend.

Pasi flitet për “editorialet e televizionit publik dhe atyre private në shërbim të PD-së”, fill pas këtyre fjalëve, shkruesi të habit me deduksionin se “z. Godo la pushimet për t’iu bashkuar këtij kori”! Përse u dashka që të lësh pushimet për të dhënë një mendim? I duket çudi sesi “e hante meraku” drejtuesin e P. Republikane që të merret me dorëheqjen e kryetarit të PS-së. Dhe përmend Gërdecin! Së pari z. Godo nuk është një njeri thuajse i panjohur i politikës shqiptare, sikundër shkruesi i këtyre batutave të pahijshme. Së dyti, Gërdeci ishte një fatkeqësi, jo një atentat, siç do të dëshironte autori. Për këtë banorët e këtij fshati, tanimë qytezë, ia dhanë përgjigjen me votën e tyre, spekulantëve që vazhdojnë të merren me absurditete të cilat i vunë në shërbim të qëllimeve të padenja për të justifikuar mjetet, siç thoshte Makiaveli. Tani zërat se Rama „fitoi“ zgjedhjet janë reduktuar vetëm në disa fanatikë që të mos respektohet statuti i PS-së për dorëheqjen e parevokueshme të humbësit të partisë. “Çfarë avantazhi siguronte PS-ja për pranimin sa më parë të humbjes?”, - është një frazë e pakuptimtë. Edhe për të pranuar një të vërtetë të hidhur, u dashka siguruar një avantazh?

Ja dy fraza të tjera që bien në ndeshje me njëra-tjetrën: Që në rreshtin e tretë lexojmë: “Sfida e z. Rama qëndron jo aq te rikandidimi, pasi për këtë nuk ekziston ndonjë pengesë statutore, sesa te analiza që sollën humbjen në zgjedhje të koalicionit të majtë“. Nga fundi i shtyllës së parë, lexojmë: “Dorëheqja e kryetarit në rastin e humbjes elektorale, si një detyrim statutor, është konditë e nevojshme, akti i parë i analizës së situatës së krijuar“. Është e tepërt ta zgjasim më tej kundërthënien. 

Pastaj fillojnë përdredhjet, ndërsa bëhet pyetja: -“Çfarë ishte në thelb politika e re apo, më saktë, ç’kuptoj unë me këtë nocion, i cili asnjëherë nuk u reklamua ndërmjet ndonjë traktati të shkruar?“. Në të vërtetë jo vetëm Edvini nuk ka sqaruar ç’ishte kjo politikë e re, por as shkruesi nuk është në gjendje të na sqarojë, siç duket, për këtë çështje. Mungesa e transparencës ka qenë dhe po provohet se është një tipar të cilit Rama nuk i shmanget dot.  Andej nga fundi i shkrimit, shkruesi na thotë se „Politika e re nuk dha rendimentin që pritej, se nuk u llogaritën si duhet koalicionet“. Kush e trajtoi kryetarin e LSI-së nga lart posht, madje gati me përbuzje, për çështjen e koalicioneve të PS-së? Rama u soll si autokrat dhe këtë nuk e përmend fare shkruesi. Madje edhe Gjinushi, të cilit ia dëgjonte fjalën, u la në mëshirën e vet, në kuptimin partiak. Atëherë edhe këtu kërkohet përgjegjësia kolektive? Personalizimi i zgjedhjeve nuk përmendet nga artikullshkruesi. Dhe ajo ka kuptimin e vet qoftë për koalicionet, qoftë për euforinë se „zgjedhjet i fitojmë të vetëm“!

Autori i shkrimit herë-herë është me këmbët në tokë dhe „bëhet kritik“, herë të tjera fluturon në eter dhe mundohet ta përligjë Ramën, duke sulmuar ata që e quajnë të humbur në prag të Kongresit të 31 gushtit, duke thënë se „ata mund të vazhdojnë të patrazuar, duke ndërruar njërin kryetar pas tjetrit“. (Ky është synimi i tyre?).

Është zbutës për sherrnajën në parlament, me fjalët se „aksioni i opozitës atje ndonjëherë nuk arrinte cilësinë  e duhur“. (Eufemizëm). Politika e re, sipas shkruesit, ishte  „një qeverisje që pretendonte menaxhimin e Tiranës, një model i pranuar i suksesshëm“ .

Flitet edhe për mungesë të sondazheve publike, kur këto ishin të shumta, madje, dhe parashikonin humbjen e Edvin Ramës.

Lexuesit mund t’i bëjë përshtypje se paqartësia shoqëron këtë shkrim edhe kur i del përballë Ramës, edhe kur i del në mbrojtje atij. Po e përfundojmë me këtë frazë:

„Nuk mund të atakohet „an block“ gjithçka, pa u futur në detaje se përse politika e re nuk arriti të kthehet në një plan veprimi“. Pa u munduar të zbërthejmë kuptimin e fjalisë, ato fjalët nën thonjëza në frëngjisht janë shkruar gabim: Ose en bloc, ose an blok.”Block” nuk ekziston në frëngjisht!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›