Madrid, Meta, fushatë anti-Rama tek socialistët evropianë
PSE, kreu i LSI-së, takime me figura të së majtës
Diskuton për ndarjen e së majtës dhe për Kodin Zgjedhor
Konferenca e Partisë Socialiste Evropiane konfirmoi edhe një herë ndarjet e thella mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Akuzat dhe ftohja e marrëdhënieve mes tyre është transportuar edhe në Madrid, në një mbledhje të posaçme të drejtuesve të së majtës evropiane. Të njëjtat qëndrime politike në Tiranë kanë shfaqur edhe në takimet me figura të njohura të së majtës si Rasmusen, Shulc, Korderi etj. Rama ka shpalosur reformat e bëra në PS, programin qeverisës si dhe arritjet me Kodin Zgjedhor, ndërsa Meta ka shprehur shqetësimet e tij për ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, ku PS-ja ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm. Më aktiv në këto takime, edhe për shkak të kohës në dispozicion, ka qenë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pasi Rama kishte në dispozicion vetëm pak orë për të zhvilluar takimet e rastit. Vizita e Berluskonit në Tiranë ka ndërprerë misionin e kryesocialistit dhe dje në mesditë ai ka zbritur në tokën shqiptare për të mos munguar në drekën e shtruar nga Presidenti. Në të kundërt, Meta ka vijuar me të tjera takime me figura të tjera të së majtës evropiane. Në takimet e dy ditëve në Spanjë, Meta ka paraqitur një ekspoze jo vetëm mbi Kodin Zgjedhor e ndryshimet kushtetuese, por edhe për gjendjen e së majtës, siç konfirmoi zyra e shtypit të LSI-së dy ditë më parë. Të gjitha takimet duket se janë në kuadër të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar për Kodin Zgjedhor, fushatë tërësisht anti-Rama, por edhe një tentativë për të kërkuar ndihmën e tyre dhe mbështetje në këtë qëndrim të LSI-së. Në fjalën e tij, ai u është referuar veprimeve të PS-së në muajt e fundit, duke kërkuar të shmanget kapitalizmi oligarkik. Sipas tij, autoritarizmi nuk sjell stabilitet, por shton korrupsionin dhe konfliktet sociale. Në këtë takim, Meta e ka vënë theksin edhe tek ndryshimi i Kushtetutës në Shqipëri. Duke e cilësuar këtë veprim negativ ai tha se progresistët mbrojnë demokracinë. Në kuadër të kësaj Meta ka shpjeguar gjithashtu se pse nuk duhej ndryshuar Kushtetuta dhe pse një pjesë e partive të vogla politike e kundërshtojnë Kodin e ri Zgjedhor të hartuar dhe miratuar nga dy partitë e mëdha politike në vend. Ndërkohë, një ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim të lartë të së majtës evropiane. Meta ka pasur takime të veçanta me Martin Shulcin, kryetar i Grupit Parlamentar Socialist në Parlamentin Evropian, me Alfred Gysenbauer, ish-kancelar dhe Lider i Partisë Socialdemokrate Austriake, Elio Rupo, udhëheqës i Socialistëve Belgë dhe me Filip Korderin, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Socialistëve Evropianë. Zyra e shtypit e LSI-së citon Korderin, i cili në takimin me Metën është shprehur i shqetësuar në lidhje me pasojat e administrimit të zgjedhjeve sipas Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa në njoftimin për mediat i nisur nga zyra e PS-së, çështja e Kodit Zgjedhor është përmendur vetëm në rastin e takimit mes Shulcit e Ramës. Në takimet e tjera që ka pasur Rama, citohet vetëm për çështje të programit qeverisës.