Topi, Berluskoni: Shqipëria, ndryshime rrënjësore
Kryeministri italian, Silvio Berlsukoni, vë në dukje ndryshimet e jashtëzakonshme të shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit, sukseset në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shprehu dje besimin se “Shqipëria mund të ecë e sigurt dhe me shpejtësi drejt familjes evropiane dhe asaj euroatlantike”. Nisur nga ky fakt, Berluskoni siguroi shqiptarët se do të jetë avokati kryesor, duke mbështetur Shqipërinë në përfshirjen e saj në gjirin e familjes evropiane. Presidenti Bamir Topi priti dje në Pallatin e Brigadave Kryeministrin Berluskoni. Duke vlerësuar se vendi fqinj, Italia, ka qenë përherë partner kryesor dhe strategjik i Shqipërisë, vuri në pah përpjekjet serioze të vendit tonë për anëtarësimin në familjen euroatlantike dhe atë evropiane. Topi shprehu interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike. Nga ana e tij, z. Topi e vlerësoi Kryeministrin Berluskoni si mik të vyer të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pasi emri i tij është shumë i njohur prej vitesh në Shqipëri. Ai theksoi se të tilla vizita dhe kontakte të rëndësishme kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve. Kreu i shtetit vlerësoi ndër të tjera se vendi fqinj, Italia, ka qenë përherë partner kryesor dhe strategjik i Shqipërisë. Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, Presidenti Topi vuri në pah përpjekjet serioze të vendit tonë për anëtarësimin në familjen euroatlantike dhe atë evropiane.