LSI: PS-ja të jetë më konkrete për reformën në drejtësi
LSI-ja akuzon mazhorancën se po kryen një reformë në drejtësi pa marrë në konsideratë rekomandimet dhe vërejtjet e BE-së. Ajo i bën thirrje edhe Partisë Socialiste që të jetë më konkrete në pozicionet e saj kundrejt kësaj reforme. Sekretarja organizative në LSI, Brizida Gjikondi, iu referua axhendës trejavore të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas saj, mazhoranca në pushtet po përpiqet të kalojë për aprovim me mënyra dhe rrugë informale dhe antiligjore disa nga ligjet më thelbësore të reformës në drejtësi. “Ftojmë Kryeministrin Berisha të reflektojë, ftojmë Kryeministrin Berisha të mos shikojë reformën në drejtësi si një mjet për t’i shtuar vetes dhe klanit që përfaqëson pushtete antikushtetuese, si dhe i tërheqim vëmendjen se kundrejt një sistemi drejtësie me kaq shumë probleme, si ai shqiptar, duhet që reforma në drejtësi të udhëhiqet nga gjithëpërfshirja, konsultimi dhe harmonizimi me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar. Kjo filozofi është e detyrueshme për mirëfunksionimin dhe jetëgjatësinë e tij e këtij sistemi”, - tha Gjikondi. Ajo bëri të ditur se LSI-ja kundrejt një reforme kaq thelbësore për shtetin shqiptar, siç është ajo në drejtësi, i kërkon publikisht kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, të jetë më konkret në pozicionimet që mban. “Pasi kjo reformë nuk është mjet as qëllim për të rritur presionin dhe pazaret e Ramës ndaj Berishës, por një ardhmëri decizive për fatet e Shqipërisë evropiane”, - tha Gjikondi.