Milkani e Ruka, një dokumentar për himnin kombëtar

Regjisori Piro Milkani
Një shekull histori e himnit kombëtar ka bërë bashkë dy nga emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare. Bëhet fjalë për regjisorin Piro Milkani dhe skenaristin Petrit Ruka, të cilët kanë zhvilluar një rrugëtim nëpër qytete e Shqipërisë, duke ndjekur gjurmët e himnit. Regjisori Piro Milkani ka nisur punën në terren në Gjirokastër në zonat ku parashikohen të jenë pjesë e xhirimit të episodeve, të cilat do të jenë pjesë e dokumentarit, i cili në thelb ka trajtimin e historisë së himnit kombëtar. Realizimi i këtij filmi që ka për producent regjisorin e njohur të kinematografisë shqiptare, Piro Milkanin dhe me skenar e regji të Petrit Rukës, ka shtrirë xhirimet e veta nga Tirana, tek ish-kryeqendra shqiptare në vitin e pavarësisë, Vlora, e më pas preku Himarën, Përmetin dhe në fund Gjirokastrën. Më tej, rrugëtimi do të vijojë në Rumani, vendlindja e kompozitorit të himnit shqiptar për të kaluar përfundimisht në SHBA. Sipas skenaristit Ruka, filmi trajton 100 vjet histori duke sjellë fakte mjaft interesante dhe disa prej tyre të panjohura deri më sot mbi historinë e vërtetë të himnit shqiptar, i cili sillet në Shqipëri për të parën herë nga dy emigrantë, të cilët e patën mësuar përmendësh në Bukuresht, për ta kënduar në Shqipëri. Skenaristi i këtij dokumentari, Petrit Ruka, ditën e djeshme në vizitën që ndërmori së bashku me producentin Piro Milkani në zonat karakteristike të qytetit të gurtë, u shpreh për gazetën “Panorama” se Gjirokastra është zgje-dhur për të qenë pjesë e këtij dokumentari pikërisht për vlerat e saj të çmuara arkitekturore dhe relievin. Ky qytet për Milkanin ka qenë përherë i përkëdheluri i kinematografisë shqiptare.