E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mafia në Serbi, me mëngë të përveshura

Mafia në Serbi është aq e
përhapur dhe e shtrirë në pore
të ndryshme të jetës së vendit,
saqë edhe policia e Serbisë, me gjithë
përpjekjet e saj, është gati të ngrejë "duart
lart", pasi ajo, si përbindësh me shtatë
koka, ripërtërihet çdo herë që
goditet. Këtë fakt janë detyruar ta pohojnë
edhe organet shtetërore përkatëse,
të cilave u referohet media serbe.
Në "Librin e Bardhë për kriminalitetin
e organizuar në Serbi", të përgatitur
kohët e fundit nga Ministria e Punëve të
Brendshme të Serbisë, së cilit i referohet
edhe media serbe, midis të tjerave vihet
në dukje se në vend veprojnë rreth 200
grupe kriminale mafioze me më shumë
se një mijë anëtarë dhe se shumë nga
këto grupe veprojnë në ekonominë e
vendit, ku ato është mjaft e vështirë të
zbulohen. Për më tepër, duhet të theksohet
se grupet kriminale kanë gjetur
"strehë" edhe në organet shtetërore të
Serbisë, sikurse tregoi rasti i fundit i zbulimit
të grupeve kriminale në Ministritë
e Mbrojtjes, të Ekonomisë dhe të Zhvillimit
Rajonal të vendit. Vetëm brenda
njërës prej javëve të fundit policia arriti
të zbulojë katër grupe kriminale mafioze,
duke arrestuar rreth 40 veta. Në rastin e
zbulimit të njërit prej këtyre grupeve
kriminale, doli se shtatë pjesëtarë të tij
ishin punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes
së Serbisë, kurse dy të tjerë, mjekë të
Akademisë Ushtarake të këtij vendi. Mbi
të gjithë anëtarët e këtij grupi mafioz rëndon
akuza e shpërdorimit të pozitës zyrtare,
marrjes së ryshfeteve, përvetësimit
të kompensimeve financiare në përmasa
të mëdha për invalidët e luftës të
Serbisë etj. Kurse një grup kriminal
tjetër që u zbulua nga policia, dhe zhvillonte
veprimtarinë e vet në fushën financiare,
kishte prodhuar dhe kishte
lëshuar në qarkullim gjatë viteve 2008
dhe 2009, në territoret e Serbisë dhe të
disa vendeve të Evropës Perëndimore,
qindra mijëra bankënota me prerje 100
euro, false. Sipas Bankës Popullore të
Serbisë dhe qendrave evropiane për
kontrollin e bankonotave, të cilave u referohet
media serbe, nga qarkullimi, deri
tani, janë hequr vetëm 2 milionë euro
të tilla. Ndërkohë, sipas llogaritjeve, në
qarkullim janë më shumë se 8 milionë
euro të "prodhuara" vetëm nga ky grup
kriminal. Tabloja e "botës së nëndheshme"
kriminale të Serbisë ka ndryshuar
shumë që nga fillimi i viteve ‘90,
kur u shpërbë Jugosllavia e dikurshme
e kur territoret e saj, sidomos ai i Serbisë,
u bën terrene mjaft pjellore për mbirjen
e shumë grupeve kriminale mafioze
dhe kur morën zanafillën dhe përvijuan
konturet e tyre shumë prej grupeve
kriminale mafioze të kohës së sotme,
midis tyre klanet famëkeqe të Zemunit,
Vozhdovacit, Bezhanijes, etj. Në atë
kohë, këto grupe kriminale kishin më
shumë karakter banditesk, pjesëtarët
e tyre vishnin çorape të zeza në kokë
dhe grabisnin nën kërcënimin e
armëve, kurse sot pjesëtarët e tyre
veshin këmisha të bardha dhe kollare
rozë, shkojnë në opera dhe organizojnë
ose marrin pjesë në veprimtari bamirësie,
në përpjekje për të legalizuar
paratë e tyre të pista, pasi i kanë larë
mirë çorapet e tyre të zeza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›