E Diel, 1 Nëntor 2026

Imer Selmani theu barrierat etnike dhe politike

Imer Selmani, kandidati nga
partia shqiptare "Demokracia
e Re", e cila u formua pak
kohë para zgjedhjeve presidenciale,
arriti të grumbullojë
rreth 15 për qind të votave në
raundin e parë të zgjedhjeve të së
dielës së kaluar. Ai u rendit në
vend të tretë, mbas profesor
Gjorgji Ivanov, kandidat i partisë
në pushtet dhe profesor Lubomir
Fërckovski, kandidat i partisë
opozitare kryesore maqedonase,
LSDM. Rezultatet kanë befasuar
gjithë opinionin publik në Maqedoni
dhe jashtë saj, pasi nga numri
i përgjithshëm i votave, afro
56000 që u mblodhën në raundin
e parë të zgjedhjeve, atë e kanë
votuar zgjedhës maqedonas.
Nuk kishte qendër votimi në
të gjithë vendin, ku të mos ishte
votuar për kandidatin presidencial
të "Demokracisë së Re", z.Imer
Selmani. Emrin e tij, me numrin
rendor 1 në fletët e votimit, e fusnin
në rreth si maqedonasit, ashtu
edhe shqiptarët. Në favor të tij,
në raundin e parë të zgjedhjeve
presidenciale, krahas zgjedhësve
shqiptarë votuan edhe ata maqedonas,
turq, boshnjakë, maqedonas
myslimanë dhe romë. "Selmani
ishte kandidati i vetëm që
dha një mesazh uniteti, që zhvilloi
një fushatë mjaft pozitive,
mesazhet që ai dha përmbanin
ndryshime, kërkonin zgjim të
njerëzve dhe promovonin vlera të
reja", vë në dukje midis të tjerave
analistja politike e njohur maqedonase,
Marija Risteska.
Megjithëse partia e Imer Selmanit
në zgjedhjet lokale, që u
zhvilluan në këtë vend të dielën e
kaluar krahas zgjedhjeve presidenciale,
nuk fitoi asnjë vend pwr
kryetar komune (bashkie) dhe
vetëm në katër prej tyre arriti të
nxjerrë kandidatët e vet në raundin
e dytë të këtyre zgjedhjeve, ai
(Selmani) fitoi bindshëm në të
gjitha qytetet e mëdha me popullsi
dominuese shqiptare ose të
përzier, me përjashtim të Tetovës.
Ai grumbulloi dy herë më shumë
vota se çdo konkurrent i tij në
Gostivar, Strugë, Dibër dhe Çair,
që, sikurse dihet, është lagjja
kryesore me popullsi shqiptare
në Shkup. Vetë shifra 150000 vota
që mblodhi kryetari i "Demokracisë
së Re", përbën një rekord absolut
më vete për një kandidat
shqiptar për postin më të lartë
shtetëror në Maqedoni. Në
zgjedhjet presidenciale të fundit,
në vitin 2004, Gëzim Ostreni, kandidat
nga partia shqiptare Bashkimi
Demokratik për Integrim
(BDI), grumbulloi 134000 vota,
kurse pesë vjet më parë (1999),
Muharrem Nexhipi i Partisë
Demokrate të Shqiptarëve
(PDSH) mblodhi 131000 vota.
Në pothuajse të gjitha komunat
e Maqedonisë, me popullsi
dominuese maqedonase, në favor
të Imer Selmani, në raundin e
parë të zgjedhjeve, votuan nga 5
deri në 10 për qind të zgjedhësve.
Më shumë vota, 12 për qind, z.
Selmani grumbulloi në Komunën
maqedonase Radovish. Vlen të
theksohet se në Vallandovo,
vendlindja e njërit prej dy kandidatëve
kryesorë maqedonassllavë,
për "Obamën" e Maqedonisë
votuan 407 zgjedhës ose 6
për qind e numrit të përgjithshëm
të zgjedhësve të kësaj komune.
Analistë të ndryshëm
maqedonas janë shprehur se
pjesëmarrja e ulët e njerëzve në
zgjedhjet presidenciale dhe
lokale në Maqedoninë Veriperëndimore
që, sikurse dihet, në shumicën
e saj banohet nga popullsi
shqiptare, është një nga arsyet
kryesore se përse Imer Selmani
nuk arriti të kualifikohej për në
raundin e dytë të zgjedhjeve
presidenciale. Vetëm në komunat
me popullsi dominuese shqiptare
të Haraçinës dhe të Sarajit,
pjesëmarrja në zgjedhje ishte
pak më shumë se 50 për qind, në
ndryshim nga pjesa lindore e
Maqedonisë, banuar kryesisht
me popullsi maqedonase, ku kjo
shifër luhatej nga 70-80 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›