Magjik edhe me Argjentinën

Lionel Messi është kritikuar gjithmonë se loja e tij mahnitëse me Barcelonën nuk rezulton e njëjtë edhe kur luan me Argjentinën.
Mirëpo, futbollisti më i mirë në botë së fundmi ua ka mbyllur gojën kritikëve, duke shkëlqyer me ‘Albiceleste’ në kualifikimet për botërorin ‘Brazili 2014’.
Së fundmi, ai realizoi njërin nga dy golat në fitoren e argjentinasve ndaj Kilit 2:1 në Santiago.
Kjo ishte fitorja e pestë nga gjashtë ndeshje për Argjentinën si fryt i lojës së mirë të Messit, i cili e realizoi golin e 14-të nga po aq ndeshje nën drejtimin e selektorit Alejandro Sabella.
“Kam shijuar momente të bukura në këto tetë vjet. Po ashtu, kam vuajtur ndonjëherë, por ato gjëra më ndihmuan të përmirësohem dhe kam mësuar se si të përballem me vështirësitë. Tash jam i lumtur me gjithçka që po ndodh me mua dhe jam i lumtur që po e shoh vendin tim duke fituar”, theksoi 25 vjeçari pas ndeshjes.
“Këto kualifikime janë mjaft të forta dhe të vështira. I deshëm gjashtë pikë nga dy ndeshjet e fundit, sepse donim ta bënim një hap të madh. Këto rezultate na ndihmuan të shkëputeshim, por duhet të punojmë fort”, vijoi ai.
Momentin magjik të Messit e ka përshëndetur edhe bashkëlojtari i tij te Barcelona, Xavi Hernandez, sipas të cilit përfaqësuesi argjentinas e meriton ‘Topin e Artë’ për herë të katërt në karrierë.
“Messi, kur nuk shënon, dhuron 2-3 asistime. I kam thënë disa herë, ai është më i miri, numër 1. Nëse duhet ta zgjidhni më të mirin, ai është Messi. Më vjen keq për Iniestan dhe Casillasin, që e them këtë”, tha Xavi.
Edhe menaxheri i përgjithshëm i përfaqësueses argjentinase, Carlos Bilardo, beson se Messi po kalon momentet më të mira të karrierës. Legjenda e Estudiantesit mendon se ylli argjentinas është vështirë të ndalet, kur është duke vrapuar me top.
“Ne e kemi parë edhe në stërvitje se çka është në gjendje të bëjë. Ai shkon nga 0-50 km/h në sekondë. E vetmja mënyrë për ta ndalur është ta godasësh. Nëse jo, nuk mund ta ndalësh”, tha Bilardo.
“Për të topi është si një asht ekstra në trup dhe ai vrapon me topin sikur të mos e kishte me vete. Sapo të shkojë ai, harrojeni, nuk mund ta ndiqni. Duhet t’i ndiqni këmbët e tij para se të niset, sepse më pas do t’ju lë prapa 10 metra. Ka shpejtësi të pabesueshme. Ai është në momentin më të mirë në çerekun e tretë të fushës, është i pandalshëm në atë pjesë”, vazhdoi Bilardo.
Ky i fundit beson se nëse Messi vazhdon me ritëm të njëjtë, Argjentina ka mundësi të mira ta fitojë Botërorin në Brazil pas një kohe të gjatë pritjeje.