E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harakiri i Gjermanise Spanja barazon

Nuk kanë munguar surprizat në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2014 të zhvilluara të martën. Rezultati më i pabesueshëm ishte barazimi 4-4 i Gjermanisë me Suedinë, në Grupin C. “Panzerat” e Joachim Loeë ishin të papërmbajtshëm në fillimin e ndeshjes dhe në harkun e 60 minutave lojë e panë veten në avantazh 4-0 me dy gola të Kloses dhe rrjetat e Mertesacker e Ozil.

Por, Gjermania ka lëshuar në lojë dhe suedezët përfituan, duke realizuar një përmbysje të pabesueshme me Ibrahimovic në të 62-tën, Lustig në të 64-ën, Elmander 76 dhe Elm në minutën e 92-të. Një barazim zhgënjes për Gjermaninë, që gjithsesi kryeson me 10 pikë, ndërsa Suedia ngjitet në kuotën 7. Në të njëjtin grup, Republika e Irlandës fitoi 4-1 në fushën e Ishujve Faroe, ndërsa Kazakistani dhe Austria barazuan pa gola.

Në ndeshjen e madhe të mbrëmjes, Spanja dhe Franca barazuan 1-1 në Grupin I. Kampionët e botës kaluan në avantazh me Sergio Ramos në të 25-tën dhe mund të kishin shënuar më tepër, por Fabregas shpërdoroi një 11-metërsh. Franca barazoi në të 93-tën me Giroud, megjithatë “gjelave” u është anuluar një gol i rregullt.

Ndërkohë, në Grupin D, Holanda fitoi me shifrat 4-1 në fushën e Rumanisë, me gola të Lens, Indi, Van der Vaart dhe Van Persie. Holanda ngjitet në kuotën e 12 pikëve në grup, ndërsa në takimet e tjera Estonia fitoi 1-0 në fushën e Andorrës dhe Hungaria mposhti 3-1 Turqinë.

Në Grupin B, italia fitoi 3-1 përballë Danimarkës, duke hipotekuar kualifikimin për në fazën finale të Brazil 2014. Edhe pse kanë vuajtur në minutat e para të takimit, “të kaltërit” kaluan në avantazh me Montolivon në të 33-ën. Më pas ishin De Rossi dhe Balotelli ata që shënuan rrjetat e triumfit të skuadrës së Prandellit, që e mbylli ndeshjen në inferioritet numerik pas kartonit të kuq të Osvaldos në të 46-ën.

Në takimet e tjera, Rusia fitoi 1-0 me Azerbajxhanin, ndërsa Portugalia u frenua në barazimin 1-1 nga Irlanda e Veriut. Ndërkohë, u shty prej rreshjeve takimi Poloni-Angli, që u shty për t’u zhvilluar gjatë pasdites së sotme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›