E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbi-Angli mbyllet me sherr masiv

Serbia jep një tjetër shembull të shëmtuar të dhunës dhe racizmit në futboll. Këtë herë, ngjarjet kanë ndodhur në stadium “Mladost” të Krushevacit, në ndeshjen ndërmjet përfaqësueses U-21 të Serbisë dhe asaj të Anglisë.

Britanikët fituan 1-0 sfidën e vlefshme për fazën “play off”, duke siguruar edhe kualifikimin në Euro 2013 për U-21 që do të zhvillohet në Izrael, ndërsa festa e tyre është prishur nga episodet e dhunës që u regjistruan në përfundim të ndeshjes.

Në sherrin masiv u përfshinë lojtarët dhe stafet e të dyja skuadrave në fushë, ndërsa gjithçka u nxit nga ofendimet raciste të tifozëve serbë ndaj mbrojtësit anglez Deni Rose, i cili është quajtur në kor “majmun”.

Në fundin e ndeshjes, Rose reagoi ndaj fyerjeve të tifozëve, ndërsa kaq mjaftoi që situata të dilte jashtë kontrollit, me konfrontime të lojtarëve nga të dyja ekipet. Nga ana e tij, lojtari me ngjyrë i Anglisë, fillimisht gjuajti topin drejt tifozëve, ndërsa më pas imitoi gjestet e majmunit.

Episodet irrituan më tepër tifozët, që nisën të hidhnin sende të forta në fushë, ndërsa lojtari u ndëshkua me kartonin e kuq për sjelljen e tij.

Trajneri i Anglisë U-21, Stjuart Pirs shprehu keqardhjen për ngjarjen, ndërsa nënvijëzoi se ishte “krenar për reagimin e lojtarëve” të tij. Ai shtoi: “Kemi raportuar se kishte ofendime raciste, por pati edhe grushte e shkelma”.

UEFA ka konfirmuar ankesën e Federatës Angleze për ngjarjen, ndërsa tashmë Federata Serbe mund të përballet me një tjetër ndëshkim, pas ngjarjeve të shëmtuara që tifozët e tyre shkaktuan në ndeshjen kualifikuese të EURO 2012 një vit më parë, ku në stadiumin “Marasi” të Genovas, gjatë ndeshjes Itali-Serbi, ata dogjën flamurin shqiptar.

Ndërkohë, ish-lojtari i Kombëtares angleze, Paul Ince, deklaroi se skuadra e 21-vjeçarëve të serbisë duhet të përjashtohet nga garat e ciklit të ardhshëm të kualifikuese për Kampionatin Europian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›