E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maj '68, trashëgimia që nuk është kuptuar

"Dani (Dany), ju keni qenë kaq i suksesshëm. Por mos lejoni të manipuloheni nga këto forca tejet të majta, që mund t'ju shtrëngojnë të shkatërroni të gjithë rezultatin e punës suaj". Pas 40 vjetësh, këto fjalë, të thëna më 22 mars 1968 nga Zhan Bodrijar (Jean Baudrillard) - në atë kohë asistent profesor në Universitetin e Nanterës (Nanterre) - gjithsesi, ende tingëllojnë të drejta.

Mund të zhgënjej mbështetësit e mi dhe të joshurit nga "Revolucioni", por unë nuk jam lider i atij revolucioni që mendohet se ndodhi më 1968-ën. Harrojeni: "'68-ta" ka marrë fund e varrosur nën gurë kalldrëmesh, madje dhe sikur këta gurë kalldrëmesh të kenë bërë historinë dhe të kenë nisur ndryshimin radikal në shoqëritë tona!

Në fillim dukej rrumpallë. Por, sikurse e bëra të qartë në intervistën time me Zhan-Pol Sartrin (Jean-Paul Sartre) për Le Nouvel Observateur, isha vetëm altoparlanti (haut-parleur) i revoltës. Kështu, "'68-ta" simbolizoi fundin e miteve revolucionare - në dobi të lëvizjeve çlirimtare që u shtrinë nga vitet 1970, deri në ditët tona. Tek e mbramja, bota e viteve 1960 - e para lëvizje globale e transmetuar drejtpërdrejt në Radio e TV - u përcaktua nga një larmi revoltash të lidhura mes tyre.

Ndryshimi i shkaktuar nga "'68-a", preku, mbi të gjitha, kulturën tradicionale, moralizmin e dalë boje dhe parimet e autoritetit hierarkik/pushtetit vertikal. Ai shndërroi jetën shoqërore, huqet, mënyrat si të flitet a si të dashurohet etj. Por, pavarësisht mundësive të saj, lëvizja shmangu dhunën për të përuruar një mënyrë të re rebelimi. Studentë, punëtorë dhe familje - të gjithë kishin kërkesat e veta të ligjshme, por, gjithsesi, të gjitha konvergonin në dëshirën e njëjtë për emancipim.

Revolta ishte formë shprehjeje politike, por nuk synonte kapjen e pushtetit politik si të tillë. Në të vërtetë, thelbi i vet ekzistencial e bëri "politikisht të papërkthyeshëm". Dëshira për liri, që çoi përpara lëvizjen, detyrimisht shmangu mënyrat arkaike të të menduarit. Si rezultat, kategoritë shterpe të traditës politike nuk mundën të përfitonin nga ngjarjet.

Në Francë, aq tepër ishte ngulitur konservatorizmi, si në të majtët ashtu dhe në të djathtët, saqë edhe ata, dhe të tjerët, s'e kuptuan lëvizjen dhe mund vetëm t'u ktheheshin interpretimeve revolucionare stereotipe. Sa për anarkistët, utopia e tyre e vetadministrimit, utopi e përhapur gjerësisht - që ishte e lidhur pas referencash historike të vjetruara - rezultoi kryekëput e paqëndrueshme. Duke nisur nga refuzimi fillestar i institucioneve politike dhe parlamentarizmit, ne e kuptuam vetëm më vonë, se sfida demokratike konsiston në kapjen e një hapësire politikisht "të normalizuar".

Pasi u ndesh me anarkistët, që kufizoheshin në gramatikën e tyre e tyre politike minimaliste - pasqyruar në sloganin e famshëm "Zgjedhjet, kurth për leshkot" - dhe me Partinë Komuniste, ideali i së cilës, përfundimisht, lidhej me tipet totalitare të shoqërisë, e ardhmja e majit të 1968-ës mund vetëm sa të kalonte në duart e së djathtës me fitoren e gjeneralit Dë Gol (De Gaulle) në zgjedhje.

Ishte, padyshim, dështim politik. Por ishte e pamohueshme edhe lëkundja e stërmadhe që tronditi konceptet tona të vjetruara për shoqërinë, moralin dhe shtetin. Duke sfiduar autoritarizmin, revolta provokoi shpërthim mu në zemër të strukturës të pushtetit dykrerësh, diçka tipike franceze, që kombinonte golizmin sundues dhe partinë komuniste, e cila drejtonte klasën punëtore. Kështu, radikalizmi i tronditjes shoqërore, përfundimisht, i dha hov lirisë së kënaqësisë nga jeta.

Me një brez të ri, shfaqet një përfytyrim i ri politik dhe moto poetike nëpër mure. Thelbi surrealist i rebelimit u shpreh disi simbolikisht nga fotografi i njohur Zhil Karon (Gilles Caron), në të cilin një buzëqeshje arrogante drejtuar një polici gjatë trazirave, përmbys rendin e ngrirë, të vendosur deri në atë pikë, sa që e bën qesharak.

Natyrisht, disa njerëz nuk janë pajtuar asnjëherë me fundin e ekstazës së këtyre pesë javëve çmendurie dhe gëzimi, ndërsa të tjerë presin ende kur "'68-ta" të kulmojë, Zoti e di, në një lloj "Dite D".

Nga ana ime, e kam pranuar me kohë "parimin e realitetit", pa nostalgji - dhe pa minimizuar rëndësinë e asaj që ka ndodhur, kjo për shkak se "'68-ta", ishte, vërtet, një revoltë që bashkonte dy epoka. Ajo theu zgjedhën e konservatorizmit dhe të të menduarit totalitar, duke mundësuar dëshirën për autonomi personale dhe kolektive dhe liri për të shprehur vetveten. Nga pikëpamja kulturore, ne fituam.

A ia vlen të rilexojmë "'68-ën"? Po, por vetëm për ta kuptuar, për të rrokur gjerësinë e saj dhe për të ruajtur çka ende ka kuptim sot. Për shembull, duke ditur se 23 vjet pas Luftës II Botërore, një Francë shumëngjyrëshe demonstroi kundër dëbimit tim me thirrjen "Ne jemi të gjithë hebrenj gjermanë", ky fakt na shtyn të reflektojmë.

or kjo nuk e përligj krahasimin e nxituar - dhe aq më pak identifikimin - e çdo proteste të sotme me "'68-ën". Pas 40 vjetësh, konteksti ka ndryshuar rrënjësisht. Bota e Luftës së Ftohtë ka ikur, ashtu sikurse shkuan e vanë shkollat dhe fabrikat e organizuara si baraka, sindikatat autoritare, rrahja e homoseksualëve dhe detyrimi i grave të marrin leje nga burrat e tyre për të shkuar në punë apo për të hapur llogari bankare.

Ajo botë u zëvendësua nga një botë shumëpalëshe, që ka SIDA, papunësi, kriza energjitike dhe klimatike, etj. Kështu, le t'i lemë brezat e rinj të përcaktojnë betejat dhe dëshirat e tyre.

Çmistifikimi i "'68-ës" nxjerr zbuluar gjithashtu mashtrimin e atyre që e fajësojnë për të gjitha të këqijat e botës së sotme. Meqenëse "brezi '68" shkruante në mure "Ndalohet të ndalosh", disa e quajnë atë përgjegjës për dhunën qytetëse, individualizmin e skajshëm, krizën në arsim, "parashutat e arta" të ekzekutivit (në Francë, me "parachutes dorés" nënkuptohet kompensimi i paguar nga bordi drejtues i një shoqërie aksionere në rast shkrirjeje a ndërrimi pronësie - shënim i përkthyesit), rënien e autoritetit, dhe - pse jo? - për ndryshimin e klimës.

Kështu, disa njerëz shpresojnë se mund t'i bishtnojnë detyrimit të tyre moral për të shpjeguar problemet e së sotmes. Por, si mund të mos e interpretosh këtë veçse si rreng politik që synon sabotimin e modernizimit të shprehjes, pra, ngushtimin e hapësirës për debat racional?

*Daniel Kon-Bendit (Daniel Cohn-Bendit), politikan i njohur evropian franko-gjerman, bashkëpresident i Grupit të të Gjelbërve / Aleanca e Lirë Evropiane në Parlamentin Evropian. Pjesëmarrës në trazirat studentore në Francë, në maj 1968, më vonë personalitet i partive të të gjelbërve francezë dhe gjermanë. Lindur në një familje hebrenjsh gjermanë, arratisur më 1933 në Francë për shkak të përndjekjeve naziste.

Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›