Zyrtarizohet pranimi i tre anëtarëve të rinj
Janë pritur dje në një ceremoni zyrtare tre anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave. Vetë kryetari i kësaj Akademie ka konfirmuar shtimin e "stafit", duke përmendur emrat e tre anëtarëve të sapozgjedhur: Anastas Angjeli, Aurela Anastazi, Ilirian Malollari. Akademia e Shkencave ka zgjedhur tre anëtarët e rinj të saj. Akademik i asociuar i ekonomisë është zgjedhur Anastas Angjeli me 19 nga 32 vota; i jurisprudencës është zgjedhur Aurela Anastasi me 18 nga 32 vota dhe akademik i asociuar i kimisë është zgjedhur Ilirian Malollari me 19 nga 32 vota. Shpallja e emrave të anëtarëve të rinj është bërë pak ditë më parë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë është themeluar në vitin 1972. Është institucioni më i rëndësishëm shkencor në vend. Ajo përfshin shkencëtarë nga më të shquarit, akademikë që zhvillojnë veprimtari kërkimore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda e jashtë vendit. Akademia ka dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksionin e Shkencave Natyrore e Teknike.