Maji, muaji i Europës, ambasada e BE çel aktivitetet

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi do të hapë sot në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Muajin e Evropës 2012.
Muaji i Evropës që po organizohet në bashkëpunim me ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë, autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile, është një iniciativë që përfshin veprimtari kulturore, sociale dhe politike, të cila përqëndrohen kryesisht në historinë dhe vlerat kulturore të Bashkimit Evropian, marrëdhënien e BE-së me Shqipërinë, si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe Shqipëri.
Përveç Ambasadorit Sequi, në Konferencën për shtyp do të marrin pjesë dhe Ambasadorë e përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu si dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin, Ditmir Bushati.