E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko bën thirrje për nacionalizëm patriotik

Në ligjëratën e tij mbajtur para studentëve të Universitetit të Prishtinës, ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka bërë thirrje për ndërgjegjësimin e politikës shqiptare, e cila, sipas tij, nuk duhet ta stigmatizoje atë që ai e quajti "nacionalizëm patriotik", por duhet të përdorë energjinë e kësaj force tek rinia shqiptare për t’i dhënë shtytje përparimit shoqëror të kombit, si dhe perspektivës evropiane.

Majko në ligjëratën e organizuar nga Lëvizja Studentore “Reforma”, ka folur për kontekstin historik dhe aktual të nacionalizmit tek shqiptarët, si dhe rëndësinë që ka sot përballë politikës dhe proceseve nëpër të cilat kalojnë shqiptaret në rajonin e Ballkanit. Majko ka përkrahur edhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se si politikan nuk është i ekzaltuar me atë, meqë e ka të qarte se kompromisi vjen me kosto të caktuar. Megjithatë, ai tha se përfitimet janë të qarta dhe theksoi se ky proces ka bërë që rruga e Serbisë për në BE tani kalon nëpër Prishtinë.

Majko ka folur edhe për nevojën e ndërtimi të një qasje politike tek liderët shqiptarë, e cila nuk do t'ia ketë frikën nacionalizmit si pengesë në raport me Evropën, por ta shohë atë si fuqi në të vërtetë proevropiane.

Gjermanët në BE ndjehen më gjermanë, sikur edhe francezët, italianët, grekët, apo nesër kroatet. Pse pra shqiptaret të shmangen nga identiteti i tyre, pyeti ai./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›