E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko në krye të grupit të PS-së, të hënën paraqet kushtet për bojkotin



Shaban Sulçe
Do të jetë deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Pandeli Majko, ai që do të paraqesë në seancën e ditës së hënë kushtet e Partisë Socialiste për të evituar bojkotin në Kuvendin e Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga burime pranë selisë rozë, sipas të cilave Majko pritet të jetë në krye të grupit të posaçëm që do të krijohet pas vendimit të djeshëm të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ky grup pune do të angazhohet për të vendosur për kohën dhe kushtet se kur Partia Socialiste do të hyjë në Parlament. Kushtet e selisë rozë duket se do të shpallen zyrtarisht në seancën e ditës së hënë nga përfaqësues të këtij grupi. Ato kanë lidhje me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe me zbardhjen e ngjarjes së rëndë të vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi.

Zgjedhjet

Kushti i parë dhe kryesor i Partisë Socialiste ka lidhje me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Që prej 28 qershorit Partia Socialiste nuk ka reshtur së denoncuari manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor, të cilat, sipas saj, kanë deformuar rëndë vullnetin e zgjedhësve. Duke e konsideruar rezultatin e zgjedhjeve si të papranueshëm dhe Kuvendin me legjitimitet thellësisht të cunguar, PS-ja vendos si kusht për hyrjen në Kuvend krijimin e një komisioni hetimor parlamentar PD-PS për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Kushti i dytë parashikon dhënien e së drejtës Partisë Socialiste për të kërkuar dhe për t'iu vënë në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore që ajo do të kërkojë për të hetuar. Partia Socialiste ka deklaruar se ka gati prova të pakontestueshme për implikimin e pushtetarëve në grabitjen e votave apo të të burgosurve, të cilët u nxorën enkas nga burgu për t’u shërbyer qëllimeve të parisë në pushtet.

Drejtësia
Selia rozë kërkon gjithashtu rivlerësim dhe rinumërim votash në një sërë kutish, kryesisht në qarqet Berat, Tiranë dhe Shkodër, qarqe në të cilat ajo pretendon se i janë mohuar mandate. Ankimet që Partia Socialiste bëri në Kolegjin Zgjedhor u rrëzuan. Dhe kjo është arsyeja që ndër kushtet e vendosura kërkohet edhe garantimi i një drejtësie të pavarur nga ndërhyrjet e qeverisë dhe të pushtetarëve. Partia Socialiste ka vendosur si kusht për hyrjen në Parlament garantimin e pavarësisë së medias në ushtrimin e misionit të saj informues, sidomos të TVSH-së dhe hallkave të tjera kontrolluese të saj, siç është KKRT-ja.

Xhindi
Si kusht tjetër për hyrjen në Kuvendin e Shqipërisë është zbardhja e vrasjes e deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Ngjarja e rëndë që ndodhi në muajin maj la pas shumë dyshime. Vrasja nuk u përdor nga Partia Socialiste në fushatë, në mënyrë që të evitoheshin tensionet, megjithatë, deputetët socialistë, në deklarimet e tyre, nuk e përjashtuan motivet politike në këtë vrasje. Gjithsesi, Grupi Parlamentar socialist tashmë kërkon zbardhjen e vrasjes së deputetit duke e vendosur si kusht për pjesëmarrjen në Kuvend.

Të larguarit
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Socialiste ka denoncuar raste të shumta të shkarkimeve nga puna për motive politike të personave që u angazhuan për fushatën elektorale të saj. Madje, për këtë, Partia Socialiste ka hartuar edhe një raport, ku janë renditur të gjithë personat e larguar politikisht nga puna pas zgjedhjeve. Rikthimi në punë i të gjithë punonjësve me statusin e nëpunësit civil, të pushuar për shkaqe politike, është kushti i fundit i PS-së për të marrë pjesë në Kuvendin e ri.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›