E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Me bojkotin Rama po dëmton interesat e shqiptarëve



Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për bojkot me kushte ndaj Kuvendit të ri. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha se kryetari i PS-së, Edi Rama, për të mbrojtur interesat e tij personale, është i gatshëm t’i dëmtojë të gjithë qytetarët shqiptare, të cilët me pa durim po presin procesin e liberalizimit të vizave. “Sot, Edi Rama, humbësi i zgjedhjeve të 28 qershorit, shpalli publikisht bojkotin e Parlamentit të paralajmëruar me dhjetëra e dhjetëra herë 2 muajt e fundit, si rrugën e vetme të mbijetesës së tij politike. Partia Demokratike, duke denoncuar këtë qëndrim të tij, i informon shqiptarët se me këtë vendim tërësisht në funksion të karrierës së tij politike, Edi Rama ka si qëllim të vetëm bllokimin e procesit të heqjes së vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke dëmtuar në këtë mënyrë qindra e mijëra të rinj shqiptarë që presin me padurim të lëvizin të lirë në Europë dhe duke ndëshkuar qindra e mijëra familjarë që po me aq padurim presin të lëvizin të lirë drejt fëmijëve dhe familjarëve të tyre në emigracion. Me vendimin e tij të sotëm Edi Rama faktoi se është i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe normë morale njerëzore dhe se për interesa të veta personale është i gatshëm të marrë çdo lloj vendimi në dëm të qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike, duke mbetur e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën, u deklaron shqiptarëve se qëndrimet dhe vendimet e Edi Ramës nuk do të mund të pengojnë procesin e heqjes së vizave. PD-ja ka besim të plotë se Bashkimi Europian këtyre qëndrimeve primitive do t’u përgjigjet me të njëjtin qëndrim siç iu përgjigj bilbilave dhe borive që Rama futi në Parlament për të bllokuar firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›