Majlinda Kelmendi: Si ma mohuan pasaportën shqiptare në 2008

Majlinda Kelmendi, vajza që bëri krenarë shqiptarët duke u shpallur kampione bote në xhudo, ka rrëfyer se si Shqipëria ia ka refuzuar pasaportën asaj dy herë, me arsyetimin se ishte sportiste e dobët.
E ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel”, Kelmendi rikujtoi edhe një herë rrugën drejt medaljes së artë: “Shorti ishte i vështirë, sepse kisha përballë garuese që nuk më përshtateshin. Në raundin e parë kisha një portugeze që më kishte mundur dy herë, ndërsa në të dytin, një franceze që doli në vend të tretë në Olimpiadë. U mundova të jepja maksimumin garë pas gare dhe të shijoja botërorin.” Majlinda Kelmendi kujton edhe një episod që i ka lënë mbresa, menjëherë pas përfundimit të finales.
“Kur fitova, publiku nisi të më vërshëllejë, pasi normalisht kërkonte fitoren e brazilianes. Unë u ndjeva keq dhe kur e vuri re këtë gjë, kundërshtarja më përqafoi.” Në lidhje me të ardhmen e saj, Kelmendi tha se mendon vetëm për xhudon: “Është e vështirë ta vazhdoj shkollën e lartë dhe sportin njëkohësisht. Nëse kërkon të kesh sukses në sport, duhet të angazhohesh në maksimum. Për momentin jam 200% me mendjen tek xhudoja dhe dua suksesin në Olimpiadë; nuk kam kohë për asgjë tjetër, as për dashurinë.” Kelmendi sqaroi edhe se ka menduar të garojë për vende të tjera, pasi ofertat e mira nuk i kanë munguar: “Kam pasur ofertë të mirë nga Azerbajxhani, por trajneri më ka ndaluar duke më thënë që, nëse nuk do të gjenim përkrahje në Kosovë, ta pranoja. Në takimin me ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, gjetëm një formë për bashkëpunim dhe jam e lumtur që gjërat shkuan kështu”.
Gjatë bisedës në studio, kampionia e botës kujtoi edhe ditët kur në Shqipëri i refuzonin nënshtetësinë. “Në vitin 2008 na është mohuar dy herë pasaporta shqiptare. Disa specialistë të sportit në ministrinë e atëhershme, emrat nuk ua di, na e refuzuan kërkesën. Pasi ne kryem procedurat në Federatën e Xhudos në Kosovë dhe Shqipëri, kërkesa duhej të shkonte edhe në Ministrinë e Sporteve, por një nga specialistët tha që: ‘Majlinda Kelmendi s’është potencial për t’u bërë ndonjë sportist kulminant’. Sidoqoftë ne s’jemi ndalur! Bashkë me disa miq në Shqipëri, - kemi shfrytëzuar ato kanalet e fshehta siç dimë ne shqiptarët – ia dolëm që të merrja pasaportën”, - ka rrëfyer 22-vjeçarja, bashkë me trajnerin e saj, për programin e Ulpiana Lamës. /BalkanWeb/