Ambasadori Kallaba vizitoi trupat e FSK-së në Bullgari

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba, vizitoi togun e FSK-së në Qendrën Profesionale të Trajnimit të Drejtorisë së Përgjithshme pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në qytetin Montana të Bullgarisë.
Një togë e Kompanisë së Mbrojtjes Kimiko-Atomike dhe Biologjike (MKAB) e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përbërje prej 20 pjesëtarëve po qëndron në këtë qendër stërvitore për 6 javë, ndërsa trajnimi ka të bëjë me “Lëndë të Rrezikshme” që organizohet me ndihmën e Grupit për Mbrojtje Civile, pranë Komitetit për Planifikim Civil Emergjent të NATO-s.
Trajnimi është i destinuar për ata që reagojnë të parët në raste të aksidenteve me lëndë të rrezikshme.
Ambasadori Kallaba shprehu mirënjohje për ftesën nga autoritetet bullgare për togun e FSK-së, si dhe përsëriti gatishmërinë e Kosovës që të dinamizojë relacionet me Bullgarinë në fushën e sigurisë.
Po ashtu, gjatë vizitës në këtë Komunë, ambasadori Kallaba u prit nga kryetari i Komunës, Zlatko Zivkov, me ç’rast shkëmbyen disa dhurata kortezie dhe materiale informuese për Kosovën. /Indeksonline/