E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda Kelmendi, e artë në Berlin

Prishtinë, 15 gusht - Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ka fituar medaljen e artë në Kupën Evropiane për juniorë (U-20) që është duke u mbajtur në Berlin. 19-vjeçarja Kelmendi të shtunën pasdite në finalen e kategorisë deri 52 kg mposhti francezen Priscilla Gneto me rezultat bindës, 5:0. Në gjysmëfinale ishte më e mirë se zvicerania Kathrin Frey, të cilën po ashtu e mposhti me rezultat 5:0. Sportistja më e mirë kosovare në luftën e parë ishte bindshëm më e mirë se austriakja Anna Dengg, ndërsa edhe në luftën e dytë kundër ruses Darya Predeina dominoi plotësisht. Këtë luftë e fitoi për vetëm 44 sekonda. 
Përzgjedhësi i Kosovës, Driton Kuka, është ndarë shumë i kënaqur me paraqitjet e Kelmendit.
"Konkurrenca ka qenë shumë e fortë, por Majlinda ka dominuar plotësisht në kategorinë e saj. Të gjitha luftërat i ka fituar bindshëm dhe ka pasur paraqitje shumë të mira", ka thënë Kuka.
Kupa e Berlinit ishte gara e fundit përgatitore para kampionatit botëror për seniorë dhe atij evropian për juniorë që mbahen muajin e ardhshëm. Kampionati botëror për seniorë mbahet nga nëntë deri më 13 shtator në Tokio të Japonisë, ndërsa evropiani për juniorë zhvillohet në Sofje të Bullgarisë nga 17 deri më 19 shtator. Kelmendi do të paraqitet në dy kampionatet.
"Kjo ishte prova e fundit para dy garave të mëdha që na presin. Kjo fitore vetëm sa rrit optimizmin për sukses të Majlindës në botëror dhe evropian. Sa i përket botërorit synojmë që Majlinda të renditet në mesin e tetë më të mirave, por nuk përjashtohet mundësia e fitimit të ndonjë medaljeje. Ndërsa në evropian të juniorëve ajo është favorite kryesore. Pas Berlinit për dhjetë ditë do të përgatitemi në Slloveni", ka shtuar Kuka.
Kelmendi në maj fitoi medaljen e artë në Superkupën botërore të mbajtur në Tunizi. Ndërsa vitin e kaluar doli e artë në kampionatin botëror, evropian dhe ballkanik për juniore.
Të shtunën në Berlin janë paraqitur edhe tri xhudiste tjera kosovare.
"Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Leutrime Krasniqi janë renditur në tetë më të mirat në kategoritë e tyre dhe ky nuk është sukses i vogël. Lirona Hoxha do të garojë të dielën", ka njoftuar Kuka.
Në kupën e Berlinit janë duke marrë pjesë mbi 450 xhudistë nga 31 shtete të ndryshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›