Majlinda Kelmendi renditet e pesta, siguron 80 pikë për Londër 2012
Majlinda Kelmendi ka fituar 80 pikë të tjera olimpike, pasi të shtunën është radhitur në vendin e pestë në kategorinë 52 kg, në turneun e xhudos “World Masters 2011”, që është mbajtur në Baku të Azerbajxhanit. Xhudistja pejane, në kuadër të këtij turneu, ka zhvilluar dy ndeshje. Në ndeshjen e parë, Kelmendi e mposhti holandezen Bravik Kiti, dhe me këtë fitore ajo arriti të hyjë në mesin e tetë garueseve më të mira të turneut. Por, Kelmendit kualifikimin në gjysmëfinale ia mohoi spanjollja Laura Gomez, nga e cila u mposht në ndeshjen e dytë. Megjithatë, trajneri i Kelmendit, Driton Kuka, ka fajësuar gjyqtarët për këtë humbje që e pësoi 19-vjeçarja shqiptare. “Gjyqtarët edhe njëherë dolën në skenë dhe garuesja jonë u desh të kënaqet me vendin e pestë, sukses ky që i sjell asaj edhe 80 pikë tjera olimpike dhe tani me siguri që Majlinda do të ngjitet në ranglistën botërore olimpike”, ka thënë Kuka, nëpërmjet një deklarate për mediat. “Ishte Huan Barkos, kryetari i gjyqtarëve të Federatës Botërore të Xhudos, ai që sugjeroi haptas që spanjollja të shpallet fituese. Por, kjo nuk do ta ndalë Majlindën, e cila do të vazhdojë të punojë”, ka theksuar ai. Kjo ishte hera e parë që Kelmendi merr pjesë në këtë turne prestigjioz. Në “World Masters 2011” janë paraqitur gjashtëmbëdhjetë xhudistët e xhudistet më të mirë të botës, në të gjitha kategoritë, derisa fondi i shpërblimit i këtij turneu ishte 200 mijë dollarë.