E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majori, koleksionues i Shekullit që prej numrit të parë

Një buzëmbrëmje, një oficer karriere, Agim Çuçka, më kërkoi t`i bëja një nder. “Çfarë nderi kërkon”? - e pyes unë. -Të më gjesh numrin e datës 31 korrik të vitit 2008, vetëm ajo gazetë më mungon nga koleksioni i “Shekullit”..

Vërtet u befasova kur më tha se kishte koleksionin e gjithë gazetave “Shekulli”, prej numrit të parë e deri më sot. Gazeta e 31 korrikut i kishte ngelur pa marrë, vetëm sepse atë ditë i ndodhi një fatkeqësi familjare.

I thashë se më dukej e pabesueshme, por Agimi nguli këmbë që unë të shikoja vetë. Shkuam së bashku tek shtëpia ku banonte. Në një nga ambientet e shtëpisë ishin vendosur një pirg i madh me gazeta të ndara sipas viteve… Ishte vërtet një befasi.

Një koleksion brenda koleksionit është Sudoku (loja në faqet e fundit të gazetës). Që nga numri i parë kur ka filluar sudoku, Agimi ka zgjidhur të gjithë sudokët dhe i ka bërë koleksion sipas muajve dhe viteve. Ai thotë se është një lojë japoneze 4000-vjeçare shumë argëtuese, që kërkon mprehtësi për t`u zgjidhur… Dhe për këtë mua më vjen mirë që vetëm gazeta “Shekulli”, që unë e adhuroj, e boton në Shqipëri. Madje, jashtë, sudoku botohet në shumë gazeta prestigjoze .

Agimi më pas thotë se vërtet koleksioni i gazetës i ka zënë shumë volum dhe ka bllokuar shumë ambiente në shtëpi,por Agimit i vjen keq që të prishë koleksionin. Ai ka një ide, që nga i gjithë koleksioni që ka gazeta, të bëjë reduktimin e faqeve, duke ruajtur për çdo numër artikujt kryesorë dhe komentet më të rëndësishme, duke hequr faqet e reklamave dhe të njoftimeve. E ka të pamundur ndryshe. “Të gjitha anekset e shtëpisë janë zënë tashmë me koleksionin e “Shekullit”, - më thotë duke qeshur Agimi. Ka një meritë edhe gruaja ime Tatjana, e cila nuk mërzitet dhe nuk bezdiset nga koleksioni.

Tatjana ndërhyn në bisedë. “Dikush ka dëshirë të koleksionojë pulla, dikush është koleksionist veprash arti, burri im është koleksionist i gazetës “Shekulli””..

Duke pirë kafe me Agimin, ai kujton, vjeshtën e vitit 1997, kur ai kishte qenë në një mbledhje në Tiranë, në Ministrinë e Mbrojtjes. “Tek një tezgë në afërsi të hotel Dajtit kam blerë numrin e parë të “Shekullit” dhe kështu me radhë e kam blerë dhe ruajtur çdo ditë”.

Për majori Agimin, gazeta “ka bërë disa beteja morale me rëndësi kapitale në historinë politike të këtyre viteve”. “Është gazetë që di të rrijë në anën e opinionit publik dhe jo në anën e qeverive, - shton ai. I njeh me emër e mbiemër të gjithë gazetarët dhe ish-gazetarët e Shekullit, gjithë kryeredaktorët e saj në vite.

Agimi këmëngul të na thotë cilësi të tjera të gazetës, por ia presim fjalën duke i kërkuar të na thotë se çfarë nuk i pëlqen tek gazeta. Qesh dhe pastaj thotë:“E kam të vështirë, por ka raste që e teproni me ato faqet e njoftimeve, duke cenuar rubrikat. Do të desha që të jetë një faqe me lajme nga bota dhe rajoni, jo çdo ditë ka lajme të tilla. Kronikat e zeza të pakësohen, nëse është e mundur të ketë më shumë jetë dhe histori pozitive njerëzore… Të më falni se unë nuk jam gazetar profesionist, jam vetëm një lexues i vemendshëm i “Shekullit”

Kush është Agim Çuçka?

Ka lindur më datën 9 shtator 1953, në qytetin e Pogradecit. Nga viti 1972-1976 ka kryer studimet në shkollën e Lartë të Bashkuar Ushtarakedhe ka mbaruar shkëlqyer me të gjitha notat 10-a. Nga viti 1979-1981, ka kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. I ngjit shkallët e karrierës gradualisht, duke arritur Shefi i Shtabit të Brigadës, me gradën e Majorit. Për shtatë vjet, në vitet e tranzicionit, Agimi punon si Shef i Degës Ushtarake, deri në vitin 2004.Më pas del oficer në rezervë. Është baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, që të dy të diplomuar për Informatikë në Universitetin e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›