E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa finish, në luftë me plakjen

Vrapon prej 23 vitesh në diell dhe në shi. Aleksandër Gjollma, njeriu që mposhti sëmundjen duke rendur, rrëfen luftën për të mbijetuar. Sot, në moshën 66-vjeçare, ai vazhdon të vrapojë, por tanimë me një qëllim krejt tjetër; të mposhtë pleqërinë

Në vitin e largët 1985, astma bronshite për pak sa nuk i rrezikoi seriozisht jetën. Aleksandër Gjollma, atëherë me profesion specialist arsimi, e gjen veten papritur në udhëkryq. Kurat mjekësore jo vetëm që nuk arrijnë të përmirësojnë shëndetin, por e ndërlikojnë edhe më shumë gjendjen shëndetësore. Në këtë moment delikat për jetën, Sandrit i vijnë për ndihmë shkrimet me tematikë mjekësore. Në moshën 43-vjeçare, babai i dy fëmijëve vendos të mos dorëzohet, por të luftojë deri në fund për të mposhtur sëmundjen. Fillon të vrapojë dhe t’i jap kurajë vetes se nuk ka asgjë të pamundur. Që nga ajo kohë e deri më sot, Sandri, tashmë në pension, vazhdon të vrapojë, i fortë, por si një djalë i ri. Astma bronshite i është zhdukur, ndërkohë që tashmë vrapimi i është kthyer në ves. Çdo ditë, në kohë të mirë apo mot të lagësht, Aleksandër Gjollma është aty në rrugicat e parkut pranë Liqenit Artificial. Veshur me tuta sportive, ora 7 e mëngjesit e gjen gjithmonë në park, fillimisht duke bërë nxehje dhe më pas duke ngjitur më vrap të lehtë kodrat e parkut. “Isha në një moment kritik. Astma po më shqetësonte frymëmarrjen, ndërkohë që vuaja edhe nga alergjia. Vendosa të mos dorëzohem. Që në vitin e parë të sëmundjes nisa të bëj vrap në parkun e Liqenit Artificial. Kaluan vetëm pak ditë nga nisja e ushtrimeve dhe fillova të vë re ndryshime të dukshme në shëndet”. Aleksandri nis të ndjejë përmirësime. Kjo e shtyn të mos ndalet. Në fillim, i ndikuar edhe nga dëshira për të qenë si më parë, vrapon pa u ndalur, duke kryer 8 kilometra në ditë. Në ndihmë i vjen edhe afërsia me parkun. Ai jeton me familjen në një banesë që ndodhet pranë Radiotelevizionit Shqiptar. Sot, kur po i afrohet të 70-tave, Aleksandri i ka reduktuar disi kilometrat, por jo dëshirën për të vrapuar. Shtysë për të vazhduar është bërë edhe gazetari amerikan, Robert Kovalc, i njohur për shkrimet e tij me tematikë mjekësore. “Për pak muaj pata fatin të qëndroj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kohë në të cilën u njoha edhe më shumë mbi literaturën e vrapimit. Robert Kovalc, thoshte se kushdo që në moshën 60-vjeçare e sipër bën vrapim të rregullt, enët e gjakut janë njësoj si tek një i ri i moshës 20 vjeç”. Aleksandri u qëndron besnik librave që flasin për gjimnastikën, si dhe për vrapimin dhe shpesh nga ata ai merr këshilla se si duhet të kryejë ushtrimet gjimnastikore. Ai këshillon të gjithë moshatarët e tij që kanë probleme me frymëmarrjen të vrapojnë në një mjedis me ajër të pastër. Si për të përligjur këshillën e tij, Aleksandri rikthehet përsëri tek gazetari amerikan Kovalc, sipas të cilit, nëpërmjet vrapimit shtresat e brendshme të enëve të gjakut prodhojnë oksid nitrik, i cili të shton vitalitetin. Sot Aleksandri nuk përdor asnjë antibiotik dhe i qëndron besnik një diete amerikane me formulën 58 për qind karbohidrate, 30 për qind yndyrna dhe 12 për qind proteina. Për të nuk ka shumë rëndësi vendi se ku ndodhet, por mjafton që të bëjë disa minuta vrapim që të ndihet mirë. Ai tregon se vrapimin e ka ushtruar dhe në kushte jo të mira atmosferike. Një fakt interesant nga jeta e tij është se në Toronto të Kanadasë ka vrapuar në temperaturën -27 gradë celsius, gjë e rrallë për moshën e tij.

Sporti, ndalon vdekjen e parakohshme të qelizave

Shkencëtarët thonë se vrapimi e ngadalëson plakjen. Ata besojnë se ushtrimet e rregullta gjimnastikore mund ta ngadalësojë veprimin e disa faktorëve, të cilët shkaktojnë vdekjen e qelizave dhe, për rrjedhojë, plakjen e shpejtë. Sipas hulumtuesve në fushën e mjekësisë, personat që bëjnë vrap për një kohë të gjatë, janë më pak të prirë ndaj invaliditetit, si edhe janë më pak të rrezikuar nga vdekja e hershme. Shkencëtarët, po ashtu, kanë zbuluar se dallimi në aftësitë e njerëzve, të cilët vrapojnë dhe ata të cilët nuk vrapojnë, bëhet gjithnjë e më i madh me kalimin e viteve. Në rastin e Shqipërisë ky faktor është më se evident. Gjithmonë e më pak të rinj ushtrojnë aktivitete sportive. Obesiteti dhe sëmundjet që vijnë prej mbipeshës po sulmojnë qysh në vogëli organizmin e njerëzve.

Vrapojmë gjithmonë e më pak

Në fillim shoqata e Ecjes dhe Vrapimit Shëndetësor numëronte 100 anëtarë, ndërsa sot janë apo nuk janë 40 të tillë aktivë. Sikurse shikohet edhe nga shifra, me kalimin e viteve, numri i anëtarëve është reduktuar, ndërkohë që edhe ata që kanë mbetur i përkasin moshave të vjetra. Arsyeja lidhet me indiferencën që tregojnë të rinjtë karshi kulturës dhe edukimit sportiv. Sotir Qiriazi, kryetar i shoqatës, thotë se në këtë aspekt shoqëria jonë lë shumë për të dëshiruar, kur dihet se në perëndim vrapimi është i përhapur në masë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›