E Diel, 1 Nëntor 2026

Marta, dashuria shqiptare e ish-zyrtares së lartë të KE-së

“Do ta quaja veten një të apasionuar pas të drejtave njerëzore, një idealiste”, - thotë Marta. Na rrëfen se që në adoleshencë ka menduar gjithnjë që drejtësia ishte një nga vlerat më të rëndësishme, për të cilat duhet të luftosh. Në 1991-shin, nisi studimet në Drejtësi në Universitetin e Sasarit (qyteti i saj i lindjes). Detyra në një shoqatë studentësh katolikë ka bërë që të udhëtoj shumë, në Europë, SHBA e deri në Afrikë. “Në 1995-n kam jetuar një eksperiencë unike në Costa D’Avorio. Më bëri të kuptoj mirë fjalën varfëri, por edhe rëndësinë e të dish të kënaqesh me pak, të ndash me të tjerët dhe të dish të shpresosh”, - tregon Marta.

Nga 1999-a dhe 2000-a, ka kaluar një vit mes Venecias dhe Strasburgut, ku ka ndjekur një Master Europian për të Drejtat Njerëzore dhe Demokratizimin dhe në të njëjtin vit, nisi karrierën e punës në botën ndërkombëtare, duke punuar si juriste në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në 2001-shin i propozuantë punonte në Shqipëri: “Përveç një shkëputjeje të shkurtër në Kosovë, nuk e kam lënë më”...

Marta, përse ndodheni në Shqipëri?

Erdha në Shqipëri në korrik të vitit 2001, isha 28 vjeç, si Përfaqësuese Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Europian. Më kujtohet që më dhanë afat vetëm një javë për të mbyllur gjithçka në Strasburg dhe të transferohesha këtu, ku po zhvillohej raundi i dytë i zgjedhjeve politike.

Pata shumë pak kohë për të mbledhur informacione mbi vendin, por kujtoj që, përveç entuziazmit të madh për këtë eksperiencë të re, ndieja një lloj ankthi nga ideja që po transferohesha në një vend të ri, i cili dilte nga një krizë e fortë ekonomike dhe politike.

Nuk njihja askënd dhe informacionet që më vinin ishin nga më të trishtueshmet. Disa shqiptarë që i kisha takuar në Strasburg dhe që ishin larguar nga vendi i tyre më 1997-n, më flisnin për postblloqe. Të tjerë më flisnin për bukuritë natyrore të vendit dhe në zërin e tyre ndihej shumë nostalgji, por dhe një hidhërim i madh.

U nisa dhe mbërrita në një ditë të nxehtë korriku, në një aeroport që nuk premtonte asgjë të mirë. Por, gjatë rrugës nga Rinasi për në Tiranë, pjesa më e madhe e anktheve shuhej. Kjo ndoshta falë natyrës shqiptare, aq e ngjashme me atë të Sardenjës. Në një farë mënyre më bënte të ndihesha si në shtëpi.

Aventura kishte nisur! Në 2002-shin m’u dha detyra e Përfaqësueses Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, ndërsa nga 2003-2006-a kam punuar për delegacionin e Komisionit Europian në Shqipëri. Në 2007-n, u largova nga Shqipëria për gati një vit, për të punuar për Misionin e OSCE-së në Kosovë. Në 2008-n, kam punuar si konsulente për IOM-in dhe nga shtatori i kaluar jam drejtoreshë e Institutit Europian të Tiranës, një organizatë që i është dedikuar promocionit të të Drejtave Njerëzore, të Shtetit të së Drejtës dhe Demokracisë.

Domethënë je në Shqipëri vetëm për punë?! Por ne kemi dëgjuar edhe që ke arsye të tjera “të forta”.

(Qesh) Jam këtu edhe sepse kam takuar dashurinë e jetës sime. Në 2002-shin takova për herë të parë Iglin, një jurist shqiptar i ri. Më mbushte me besim dhe më bënte shumë përshtypje shpirti i tij dhe kultura. Por vetëm në 2004-n sytë tanë u takuan realisht. Në 2005-n u martuam në Itali, në Sardenjën time. Në 2006-n lindi Luka, fëmija ynë i parëdhe në 2007-n Matteo, më i vogli. Dhe kështu, Shqipëria nuk është vetëm vend pune, por është bërë pjesë e imja.

Dhe si ju duket kjo pjesë shqiptare...

Tashmë, Igli thotë që jam më shumë shqiptare se vetë shqiptarët dhe qesh kur prindërit e tij më thonë se ndonjëherë harrojnë që jam italiane dhe se çdo shqetësim i tyre që kishin në fillim, është zhdukur.

Sigurisht, theksi italian është i pangatërrueshëm dhe shumë herë kam bërë gafa të mëdha, duke folur këtë gjuhë sa të bukur edhe të vështirë (shqip), por kam kohë... Kemi folur shpesh me Iglin për vendin se ku duam të jetojmë dhe tani për tani zgjedhja jonë ka mbetur Shqipëria, e cila ka shumë për të na dhënë dhe nga e cila mendojmë të japim kontributin tonë më të mirë me anë të profesioneve tona, në rrugën e vështirë të demokratizimit dhe të integrimit europian.

Për faqen tonë të Jetës Aktive në SH2, ju zgjodhëm, sepse mësuam se jeni shumë e apasionuar pas zhytjeve..

Siç e thashë, vij nga një prej ishujve më të bukur të Mesdheut. Deti ka qenë gjithnjë pjesë e jetës sime dhe që fëmijë kaloja orë të tëra e zhytur në ujë, me maskë dhe tub ajri, për të eksploruar fundin e detit, për të vëzhguar peshqit dhe bimët e detit, për të ndier zhurmën e botës së jashtme, ashtu si mund të perceptohet vetëm në ujë dhe t’i jepja krahë imagjinatës duke fluturuar në atë botë kaq të ndryshme, në të cilën gjithçka zhvillohet me një ngadalësi të qetë.

Në 2003-shin, falë shtysës së dy miqve të mi shumë të mirë, bëra një kurs në Sardenjë dhe arrita të marr certifikatën e nivelit të parë, për zhytje me bombul. Nën ujë ndjehem vetvetja. Nëndeti është një botë e mrekullueshme, e cila të lë pa frymë. Vetëm ai që e ka eksperimentuar mund të kuptojë ndjenjat e forta që provohen. Të zhytesh bëhet gati-gati një nevojë, nuk mund të bësh pa të.

Pak a shumë, të apasionuarit pas diçkaje e njohin njëri- tjetrin. Ka shumë të apasionuar pas zhytjes këtu në Shqipëri?

Unë jam zhytur sidomos në Sardenjë, ku kam një grup miqsh zhytësish, me të cilët praktikoj këtë sport. Di që edhe këtu në Shqipëri ka shumë të apasionuar, kam takuar disa në Jalë para disa vitesh, por nuk kam mbajtur kontakte me ta. Javën që kaloi “Linea Blu”, një trasmetim italian që i dedikohet detit, transmetoi diçka shumë të bukur për Shqipërinë dhe për zhytjet që mund të bëhen pranë brigjeve shqiptare.

Cilat janë vendet më të bukura ku ke eksploruar detin?

Sigurisht Egjipti dhe ishujt Maldive. Të zhytesh në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian dhe t’i afrohesh barrierës së koraleve, është tamam sikur të jesh brenda një akuariumi. Mund të shohësh, edhe në pak metra thellësi, një pafundësi peshqish me mijëra ngjyra, me forma dhe përmasa nga më të ndryshmet, deri peshkaqenë, kandila deti. Por edhe Mesdheu ka një natyrë detare të mrekullueshme. Mes zhytjeve të ndryshme, gjithsesi, kujtoj si shumë emocionuese edhe një zhytje natën, gjatë së cilës munda të shihja krijesa që nuk mund të shihen gjatë ditës dhe një tjetër, gjatë së cilës shkova më shumë se 30 metër thellë në Sardenjë, në brendësi të një prej shpellave më spektakolare të Europës, “Shpellën e Nereos”.

Je zhytur ndonjëherë këtu në Shqipëri?

Për fat të keq nuk e kam pasur rastin ta bëj dhe pse i kam eksploruar detet e jugut shumë herë, me maskë dhe tub ajri, duke përfshirë në këtë prezantim me botën ujore edhe burrin tim, i cili deri atëherë nuk kishte vënë kurrë maskë.

Pse jo në bregdetin shqiptar?

Sepse të zhytesh me bombul është një aktivitet sa entuziast, aq edhe i rrezikshëm, nëse nuk merren masat e nevojshme të sigurisë. Bombulat duhet të mbushen me një përzierje, e cila duhet të përgatitet me shumë kujdes nga njerëz që janë kompetentë për këtë gjë, dhe ngaqë nuk kam arritur të hyj në një rrjet zhytësish në Shqipëri, nuk kam ditur kurrë se kujt t’i drejtohem për këtë.

Përveç kësaj, duhet të ekzistojë dhe një dhomë hiperbarike, ajo duhet të jetë në dispozicion në afërsi të vendit që bëhet zhytja, për të ndërhyrë në çdo rast të një daljeje shumë të shpejtë, apo në rastet kur ndjehesh keq për shkak të ndryshimit të presionit mes thellësisë së detit dhe sipërfaqes së tij.

Mendoj se në Shqipëri ka vetëm një apo dy dhoma hiperbarike dhe mungesat e infrastrukturës rrugore nuk të japin mundësi që të shkosh aty në një kohë të shkurtër. Mendoj se Shqipëria duhet ende të punojë për t’u mundësuar të apasionuarve të zhyten, duke limituar rreziqet e një sporti të tillë.

Kaq vite në Shqipëri... Cila është gjëja që të mungon më shumë nga Italia?

Sigurisht, familja ime, vëllai dhe motra, miqtë e mi. Gjithsesi, shkoj shpesh në Itali dhe kam bërë kaq shumë publicitet për Shqipërinë. Shumë nga të afërmit e mi kanë vendosur t’i kalojnë pushimet në brigjet shqiptare.

Mediat e huaja zakonisht na bëjnë ne shqiptarëve me bisht. E ka ndjerë Marta këtë?

Më kujtohet një episod i disa viteve më parë, kur, në Itali me Iglin, një e njohura ime, më në fund kuptoi që Igli ishte shqiptar. I tha në fytyrë që i urrente shqiptarët, algjerianët, marokenët, pasi i ngjallnin frikë. Unë u indinjova shumë, por Igli nisi të fliste shumë qetësisht. Për t’i rënë shkurt, në fund të bisedës, ajo e pyeti se mos Igli rastësisht kishte ndonjë kushëri beqar... (qesh)

Juve keni të drejtë që më bëni këtë pyetje, pasi imazhi që jepet për Shqipërinë në mediat italiane, shpesh është negativ dhe shumë i limituar. Sigurisht që Shqipëria që njoh unë është shumë ndryshe nga ajo që njohin bashkëkombasit e mi. Por, mendoj që vitet e fundit, edhe televizioni italian e ka përmirësuar nivelin e informacionit mbi Shqipërinë.

Marta, një pyetje që ndoshta u intereson gjithë grave... Si është të martohesh me një të huaj?

Mendoj se kur vendos të martohesh nuk e shikon më tjetrin si të huaj, por si njeriun që do, me të mirat dhe defektet e tij, pavarësisht nga kombësia që ai ka. Sigurisht ndonjëherë ndodh që të keqkuptohesh, kjo për shkak të kulturave të ndryshme. Në fillim të lidhjes sonë shpesh grindeshim për keqkuptime të lindura nga kuptimet e ndryshme që u jepnim fjalive tona. Tani na vjen për të qeshur, por atëherë...

Megjithatë ka avantazhe një martesë e tillë. Ke në dispozicion një pasuri kulturore dhe gjuhësore të dyfishtë, e cila e bën lidhjen edhe më stimuluese. Fëmijët tanë i flasin të dyja gjuhët, për momentin duke përzier fjalë italiane dhe shqiptare, në një gjuhë që ngjan shumë me esperanton dhe jam shumë e lumtur që fëmijët e mi të rriten kështu.

Zakonisht, ne këtu në Shqipëri jemi mësuar me idenë që një vajzë shqiptare të martohet me një të huaj, por që një djalë shqiptar të martohet me një të huaj ndodh rrallë. Thonë që meshkujt shqiptarë janë pak të vështirë...

Edhe unë e kam dëgjuar këtë

Dhe...

Fatmirësisht nuk i kam besuar kurrë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›