Makarona & Fasule
Edmond Tupja
Përsëri alarm i madh në opinionin publik italian, kësaj radhe jo për shkak të plehrave pirgje-pirgje në rrugët e Napolit, por me rastin e rritjes së rrufeshme – deri në 30 % – të çmimit të makaronave të prodhuara industrialisht. Natyrisht, ka faktorë objektivë që e shpjegojnë këtë rritje çmimi: shtrenjtimi i grurit në shkallë planetare, rritja e çmimit të fuçisë së naftës si edhe fakti që çdo italian konsumon mesatarisht 29 kg makarona çdo vit. Por më duket se ekziston edhe një faktor subjektiv që ka ndikuar në zhurmën mediatike që po bëhet lidhur me këtë temë: makaronat janë gjella kombëtare e italianëve, ato bëjnë pjesë jo vetëm në folklorin e tyre të artit të të gatuarit e të të ushqyerit, por edhe në atë ndjenjë kolektive të pamohueshme që ende quhet krenari ose sedër kombëtare. Përfytyroni çfarë do të ndodhte sikur në Itali të ngrihej edhe çmimi i picave! Do të ishte njësoj sikur në Francë të ngrihej çmimi i verës, në Angli, Belgjikë e Gjermani ai i patates dhe i birrës, në Kinë ai i orizit, etj., etj.
Duke ndjekur këtë arsyetim, do t’i binte që në Shqipëri të alarmohej mbarë opinioni publik po të ngrihej çmimi i fasuleve, i gjellës sonë kombëtare, dhe meqenëse shqiptarët nuk janë aq të pasur sa italianët, një rritje e menjëhershme prej 30 % mund të përfundonte me trazira të dhunshme. Por, fatmirësisht, ka kohë që fasulja nuk është ngritur shumë si çmim dhe statistikat do të tregonin që asnjë shqiptar nuk konsumon në vit 29 kg fasule. Ç’është e vërteta, çmimi i fasules njohu një rritje të rrufeshme tek ne para 10-12 vitesh në mos gabofsha, por, në atë kohë, shumica dërrmuese e bashkatdhetarëve të mi e kishin mendjen (bashkë me gojën, grykën e barkun) të shijonin me kënaqësi kozmopolite picat, sanduiçët, hamburgerët, sufllaqet dhe doner qebabët, të cilët nuk kishin shumë kohë që ishin shfaqur në Shqipëri, kështu që nuk u treguan as vigjilentë, as të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimit të fasules. Me sa dukej, ndjenja apo sedra e tyre kombëtare në artin e të gatuarit e të të ushqyerit ishte zbehur prej kohësh, më saktë, që kur shteti socialist shqiptar i diktaturës së proletariatit vendosi tallonin edhe për fasulen, ndër të tjerë artikuj ushqimorë.
Francezët, me shumë humor, fasulet i quajnë metaforikisht “muzikantë”. Përse? Sepse, kur njeriu ha fasule, grumbullon gazra që, siç dihet, i dalin nga prapanica me njëfarë melodie të vrazhdë e, në shumicën relative të rasteve, të parfumuar. Ka të ngjarë që, duke qenë të ushqyer me fasule për breza të tërë gjatë historisë së tyre të lavdishme, bashkatdhetarët e mi, dhe me ta unë gjithashtu, të jemi ndier të lodhur së ngrëni fasule e, sidomos, së lëshuari gazra ose, në shqipe të mirëfilltë, pordhë. Të lodhur së lëshuari pordhë, por edhe së shituri pordhë. Me një fjalë, duke ngrënë shumë më pak fasule se dikur, ne kemi më pak pordhë tani, rrjedhimisht shesim më pak të tilla, pra, jemi bërë më pak mburravecë, më shumë modestë. Kur them “ne”, kam parasysh shqiptarët e rëndomtë, por, mjerisht, kjo dukuri nuk para vihet re sistematikisht tek ata që na drejtojnë, qofshin të majtë apo të djathtë, të cilët vazhdojnë të shesin nënproduktin e sapopërmendur të fasules. Çka do të thotë se ata që na drejtojnë, blu apo rozë qofshin, janë më atdhetarë se ne, shqiptarët e rëndomtë, ngaqë vazhdojnë të hanë fasule aq shumë u shijon gjella jonë kombëtare, aq të mprehtë e të theksuar e kanë ndjenjën apo sedrën kombëtare edhe në rrafshin e të ngrënit saqë, për këtë, sakrifikojnë “muzikantët” në fjalë.
Së fundi, le të më lejohet ta mbyll këtë përsiatje me një referencë të pashmangshme letrare: po të lexoni “Dragoin e Fildishtë” të Fatos Kongolit, do të mahniteni me një skenë surrealiste që ndodh, andej nga mesi i viteve ’60, në Pekin, në një konvikt studentësh, ku realizohet asgjësimi simbolik i mburravecërisë së “njeriut të ri” shqiptar nëpërmjet djegies së... pordhëve që ky individ i atyre kohërave duhej t’i shiste çdo të huaji lidhur me epërsitë e padiskutueshme të Shqipërisë Socialiste ndaj vendeve kapitaliste dhe revizioniste. Frymëzuar nga fragmenti i sapopërmendur i këtij romani, më lind rrezikshëm pyetja: Mos vallë djegia në fjalë do të ishte e dobishme edhe sot në disa struktura të caktuara të shtetit, të politikës e të shoqërisë shqiptare?