E Diel, 1 Nëntor 2026

Makbule Ceco: Berisha noten 10 ne matematiken politike

Autori i Lajmit: red.
Intervista

“Në klasën politike shqiptare është e nevojshme të zërë vend kultura e përgjegjësisë e cila duhet të zëvendësojë kulturën e mospërgjegjësisë që me keqardhje më duhet të pohoj, vazhdon të jetë prezente”

“Shkurtimisht thelbit të pyetjes suaj ”në se zoti Nano do t i kthehet politikës apo duhet t i rikthehet politikës aktive do i përgjigjesha
pyetje, Pse jo”

Makule Çeço, ish-sekretarja e Përgjithshme e PSV91 fajëson kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama për humbjen e së majtës ndërsa shprehet se duhet një analizë e plotë e strukturave të selisë rozë. Sipas saj gara e 28 qershorit ishte garë mes liderve për pushtet dhe jo garë programesh e idesh. Gjatë një interviste për “Ballkan” Çeço shprehet se mirëpret kthimin e Nanos në politikën aktive ndërsa vlerëson Berishën me notën 10 në matematikën politike.
Zonja Çeço si e komentoni rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit ku e majta edhe pse mori më shumë vota, ndarja e mandatave e nxori atë të humbur?
Për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në mënyrë sa më koncize do të referoja një thënie proverbiale të popullit tonë e gdhendur në shprehjen “ si fitorja e Pirros”. Askush nuk fitoi sa deklaroi, dëshiroi e planifikoi. PS deklaronte sigurimin e fitores e vetme mbi 71 mandate, PD deklaronte fitoren në përmasat e vitit 92, pra gjithkush humbi sa nuk parashikoi, dhe për pasojë, gjithë spektri politik shqiptar gjendet aktualisht në pozitat e “fitores së humbjes”, situatë në të cilën paradoksalisht kryeministri në detyrë Berisha mbetet dhe do të vazhdojë të jetë kryeministër i rimandatuar, pavarësisht se nuk ka marrë shumicën e votave të shqiptarëve, por vetëm se u tregua politikan “i notës 10 në matematikën politike”, në përllogaritjet për të qëndruar në pushtet, pavarësisht numrit të votave. Në këtë situatë poszgjedhore, me të drejtë gjithkush mund të shtrojë pyetjen: Përse mbahen zgjedhjet? Abraham Linkoln i përgjigjet kësaj pyetjeje, edhe pse në mënyrë të tërthortë, kur thotë: ”Asnjëri nuk është i aftë të qeverisë një tjetër, pa pëlqimin e vetë këtij”. Pra, problematika e zgjedhjeve nuk mund të mos trajtohet brenda përbrenda trekëndëshit shteti-demokracia-politika. Në këtë kuptim mund të themi se zgjedhjet, për njerëzit e zakonshëm, janë një mundësi e jashtëzakonshme. Dhe , gjykoj se pikërisht këtu e ka burimin aforizmi se “Vetëm nëpërmjet zgjedhjeve, askushi mund të bëhet dikushi” dhe anasjelltas “dikushi mund të bëhet askushi”. Megjithëse zgjedhjet e 28 qershorit nuk prodhuan fitues legjitim, palët e interesuara përpiqen të kenë një humbës të tillë, duke nxjerrë produktin me “dy fitues” që janë Berisha- Meta dhe “një humbës” që është Edi Rama, por mbi gjithçka, këtë produkt do e kategorizoja, përgjithësisht, si humbje historike të së majtës shqiptare dhe njëherazi dhe si një humbje e gjithë ansamblit partiak. Në përmbyllje të këtij komenti të shkurtër mbi rezultatin e zgjedhjeve dëshiroj të veçoj dy përfundime që i vlerësoj të rëndësishme dhe që konsistojnë:
Së pari, këto zgjedhje, ndonëse të qeta ditën e votimit, janë ende pa një rezultat zyrtar edhe pas dy javë e gjysmë të zhvillimit të tyre, të ngërthyera në një proces të gjatë numërimi, kontestimi e debatesh që shkojnë deri në paralajmërime për mosnjohje të rezultatit, çka cenon nivelin dhe standardet zgjedhore të njohura për shoqëritë demokratike, duke mos shpëtuar dot nga sindromi i kontestimeve nga i cili kanë vuajtur zgjedhjet parlamentare në historikun e Shqipërisë pluraliste dhe, së dyti, megjithë mangësitë e tyre, këto zgjedhje kanë sjellë disa aspekte me vlerë për demokracinë të cilat kanë të bëjnë, nga njëra anë, me një baraspeshë gati-gati matematikore që dikton, si për mazhorancën dhe për opozitën, duan s duan, sjellje, qëndrime e veprime politike të ekuilibruara, dhe nga ana tjetër, me krijimin e hapësirave për kapërcimin e paragjykimeve mbi koalicione ndërmjet forcave politike të kaheve të ndryshme të politikës.
Kush mendoni se ishte shkaku i kësaj humbje?
Kjo situatë poszgjedhore dhe ky produkt zgjedhor kërkon një analizë të plotë të faktorëve politikë që kushtëzuan këto rezultateve, kërkon qetësi dhe maturi, pjekuri dhe qartësi politike jashtë qëndrimeve ekstreme, radikale, të nxituara apo të ngarkuara me mllefe, mërira, inate etj.
Zgjedhjeve të 28 qershorit i parapriu një garë elektorale në të cilën nuk konkurruan alternativat por konkurruan krerët e partive politike, nuk u ndeshen aspiratat e shoqërisë për ndryshim e zhvillim, por dëshirat e papërmbajtura të liderëve të partive për pushtet, prandaj dhe humbësi i madh është elektorati, ndërsa fituesit janë politikanët qoftë të spektrit të majtë e atij të djathtë. Në këtë situatë, klimë e përballje elektorale midis krerësh, do të pohoja, pa kurrfarë mëdyshjeje, se disfata historike e së majtës në 28 qershor mban peshën e delirit prej “fitimtari të madh e të padiskutueshëm”, mban vulën e megalomanisë që e kishte pushtuar se do t i fitonte i vetëm zgjedhjet, të zotit Rama, i cili autoritarizmit të Berishës iu kundërvu me të njëjtën teknologji, monedhë, e filozofi, me autoritarizmin, nihilizmin, diktatin, brutalitetin, mendjemadhësinë, frymën përjashtuese, fushatën negativiste, me ambicien për pushtet absolut dhe kërkesën për gjithëpushtet, me radikalizmin dhe me prepotencën e tij, të cilat precipituan e konverguan në mungesën e lirisë, që siç dihet, është thelbi i demokracisë.
Pozicioni i luftës me të gjithë e kundër të gjithëve që zgjodhi me ndërgjegje z. Rama, ideja e tij se partia është pronësi ekskluzive e vetvetes e për vetveten, përçarja, fragmentarizimi, përjashtimi brenda së majtës rrjedhojë e frymës dhe filozofisë që praktikoi z.Rama në emër të politikës së re, deliri i fitores triumfale edhe i vetëm i Ramës, bënë që njerëzit ta shikonin me mosbesim këtë të ashtuquajtur politikë të re e cila nuk arriti të ngjizte nevojën që njerëzit “ta shikojnë jetën në një perspektivë të re”. Secili prej aspekteve të mësipërme e të gjitha të marra së bashku e çuan PS-në në disfatën e paralajmëruar.
Ndërsa, Berisha ndryshe nga Rama, u tregua, më i qartë, më bashkëpunues, më me vizion duke u shtrirë në një rreze të gjerë veprimi e koordinimi të së djathtës, duke aplikuar modelin e gjithëpërfshirjes. Me këtë filozofi e vizion ai grumbulloi rreth vetes pothuajse gjithë faktorët e spektrit politik të djathtë pa bërë dallime, pa mbajtur mëri, pa nënvleftësuar asnjë faktor politik të së djathtës në minorancë, madje fali konfliktet, kontraditat, përbaltjet, fyerjet reciproke dhe hyri në zgjedhjet e 28 qershorit me një dimension të ri, me një formacion të gjerë, në përbërjen e të cilit u përfshinë lojtarë të vjetër me përvojë, të kombinuar me të rinj dinamikë, të përkushtuar.
Ky rezultat a kërkon një analizë të plotë nga ana e strukturave të selisë rozë dhe nxjerrjen e përgjegjësive?
Uroj që strukturat e selisë rozë të mos bien në pozicionin e kryetarit Rama që analizat në parti i quan metoda puniste, të mos nënvleftësojnë, anashkalojnë, por të kuptojnë nevojën e një analizë të plotë të zhvillojnë një analizë të tillë, të thellë e të plotë të procesit e të rezultatit zgjedhor, me qëllim që të mundësohet arritja e përfundimeve të drejta, të evidentohen shkaqet dhe faktorët që çuan në humbje dhe të korrigjohen sa më shpejt me qëllim që të ezaurohen efektet negative për të ardhmen e PS-së e të gjithë të majtës. Nuk është as herët e as vonë realizimi i një analizë të tillë, dhe nxjerrja e përgjegjësive, mbasi është bërë më se imperativ rikthimi i besimit si dhe i optimizmit të anëtarësisë, elektoratit, mbështetësve e simpatizantëve për të ardhmen e PS-së, për sfidat me të cilat do të përballet momentalisht dhe në të ardhmen.
Për të pyetur më drejtpërdrejtë, mendoni se zoti Rama duhet të japë dorëheqjen?
Po i përgjigjem kësaj pyetje përmes tezës mjaft kuptimplotë e domethënëse të një prej filozofëve të mëdhenj, Montesquieu: “Virtyti politik i demokracisë konsiston në heqjen dorë nga vetvetja; në vënien në mënyrë të vazhdueshme të interesit publik përpara interesit vetjak, çka është punë mjaft e lodhshme për tu përballuar”. Në klasën politike shqiptare është e nevojshme të zërë vend kultura e përgjegjësisë e cila duhet të zëvendësojë kulturën e mospërgjegjësisë që me keqardhje më duhet të pohoj, vazhdon të jetë prezente, madje të ketë rrënjë më të thella nga ç mund të mendohet.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në të cilat PS humbi, megjithëse kishte mbledhur më shumë vota se PD, Nano në asnjë rast nuk u deklarua fitues, ankimoi procesin deri në fund dhe, kur u dha përfundimisht rezultati i zgjedhjeve, deklaroi dorëheqjen si kryetar partie, duke vendosur në politikën shqiptare standardin e kulturës së përgjegjësisë dhe duke krijuar precedentin e dorëheqjes, standard që u sanksionua dhe në statutin e PS-së në kongresin e vitit 2007. Në një nga prononcimet e fundit të zëdhënëses së PS-së u deklarua, me ose pa dashje, se PS ka humbur zgjedhjet parlamentare. Deklarimi se PS ka humbur zgjedhjet, precedenti Nano dhe neni statutor i shprehur në mënyrë eksplicite përbëjnë bazën e përgjigjes pohuese të kujtdo ndaj pyetjes suaj të drejtpërdrejtë në se zoti Rama duhet të japë dorëheqjen. Çdo qëndrim tjetër do të thotë kthim prapa, cenim i standardit demokratik, shkelje e statutit, mungesë e kulturës së përgjegjësisë, mungesë ndershmërie, korrektese, demostrim arrogance, zhgënjim dhe thellim i mosbesimit të elektoratit të majtë, justifikim dhe gjetje alibish të pabaza etj. Në këtë rast do të ishte me vend nënvizimi i sentencës “Ka parti që nuk meritojnë njerëzit që i udhëheqin.
PS vazhdon të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve në disa qarqe madje duke kërcënuar dhe mosnjohjen e zgjedhjeve. Sipas jush është i drejtë një qëndrim i tillë?
“Çdo politikë duhet të përmbyset para drejtësísë” – ka theksuar prej kohësh Emanuel Kanti. Bazuar në këtë sentencë, por dhe duke qenë në mbështetje të së drejtës së ankimimit për të arritur tek e vërteta, gjykoj, që kërcënimi për mosnjohjen e zgjedhjeve merr një ngarkesë që tejkalon caqet e së drejtës ligjore për ankimim në mbrojtje të vullnetit të elektoratit të shprehur me votat që gjenden në kutitë e votimit që kontestohen nga PS. E them këtë mbasi, duhet kaluar në gjithë procedurën ligjore të parashikuar nga kodi zgjedhor, ankimimi deri në Kolegjin Zgjedhor, vendimet e të cilit për të gjitha ankimimet certifikojnë drejtësinë ose jo të kontestimeve të subjekteve politike dhe rrjedhimisht, në analizë të fundit, certifikojnë dhe drejtësinë ose jo të qëndrimeve të forcave politike dhe të politikës që aplikojnë në lidhje me njohjen ose jo të rezultatit të zgjedhjeve.
Zonja Çeço sa i drejtë ishte vendimi i Ilir Metës për të bashkëpunuar me kryeministrin Berisha?
Në fakt, nuk është e lehtë të përcaktosh nga anon e drejta, prandaj dhe dilemat dhe këndvështrimet rreth vendimit të Ilir Metës për të bashkëpunuar me kryeministrin Berisha, në se është i drejtë ose jo, janë të natyrshme. Për ti dhënë një përgjigje kësaj pyetje duhen marrë në konsideratë shumë aspekte, shumë anë e faktorë që kanë të bëjnë më rrethanat që çuan deri në marrjen e këtij vendimi, pse Ilir Meta e pati të mundur një aleancë me Berishën dhe të pamundur një aleancë me Edi Ramën etj. Në gjykimin e një pjese jo të vogël spikat aprovimi dhe mbështetja për këtë vendim, të tjerë ngrenë shumë dyshime rreth tij, sikurse ka dhe një kategori tjetër që nuk prononcohet, jo se është indiferente, por nuk ka formuluar akoma një pikëpamje rreth këtij vendimi.
Në gjykimin tim, pa dashur e pa mundur të nxjerr konkluzione të plota që mund të nxirren mbi bazën e zhvillimeve konkrete, (ndërsa deri tani ka vetëm një prononcim pozitiv ndaj ftesës së Berishës, dhe asgjë konkrete të parashtruar në një marrëveshje të nënshkruar nga dy forcat politike) ky vendim i z. Meta ka qenë një zgjedhje e detyruar, pragmatike dhe jo e dëshiruar, e paracaktuar. Këtë gjykim e mbështes, ndër të tjera, në rrethanat politike të krijuara, në rezultatet paraprake zgjedhore, në marrëdhëniet me shumë oshilacione deri në pozicionime tejet konfliktuale të Metës me Ramën, në mungesën e ndonjë alternative tjetër në këndvështrimin e ekzistencës, mbijetesës e forcimit të partisë së tij. Ndonëse një vendim i tillë mbart brenda kontradiksione të forta, që fillojnë që nga një farë çoroditje, hutim, konfuzion dhe çorientim të elektoratit të LSI-së, e deri në garantimin e një farë stabiliteti dhe krijimin e shanseve për të ndikuar që të qeveriset më mirë etj. Duket se demokracia në vendin tonë po ecën drejt pasurimit të saj me elementë e përvoja të tilla, që për vendet evropiane nuk janë raste sporadike, përjashtimore apo të rralla, përkundrazi në shumicën e tyre koalicionet e mëdha apo të përziera janë prezente. Madje në këtë ambient të ri social dhe politik të vendeve me demokraci të konsoliduar, gjithnjë e më qartë bëhet fituese ajo forcë kryesore politike që synon dhe konkretizon zgjerimin me partnerë edhe nga krahu opozitar, duke e konsideruar aftësinë për të formuar koalicione të qëndrueshme qeverisëse si një parakusht të rëndësishëm për menaxhimin efektiv të demokracisë, në një sistem pluralist. Këto zhvillime në demokracitë perëndimore kushtëzojnë një karakteristikë të tillë që kërkon balancimin e dëshirës për pushtet me atë të formulimit të politikave për të orientuar vendin drejt zhvillimit. Është pikërisht ky balancim që i orienton partitë politike për krijimin e koalicioneve fituese të përbërë nga partnerë me ura lidhjeje në spektre të ndryshme politike. Në këtë kontekst do të thoja se Ilir Meta gjendet përpara një sprove të vështirë, bashkëqeverisjen me Sali Berishën, por që për shumë analistë, gazetarë, opinionistë vlerësohet si një “koalicion që do të sjellë kulturë të re besimi”, siç shprehet që në titull shkrimi i gazetarit të Dojçe Velle, Fabian Shmidt.
Mendoni se do të jetë e qëndrueshme qeveria e ardhshme?
Të parashikosh jetëgjatësinë, qëndrueshmërinë, sukseset apo dështimet e kësaj qeverie koalicioni qysh sot akoma e paformatuar, e materializuar me një marrëveshje të mirëfilltë, e pakta është një qëndrim i nxituar, për të mos thënë se është një qëndrim i gabuar, mbasi gjykoj se ecurinë dhe rezultatin e kësaj qeverie do ta tregojë koha.
Thënia e Shekspirit se bota është teatër dhe njerëzit janë aktorë, mjerë ai që nuk luan rolin e vet, vlen edhe për qeverinë që do të formohet mbi bazën e koalicionit PD-LSI. Megjithatë, nuk është e vështirë të parashikosh që qeveria e re, e cila do të dalë nga bashkëpunimi PD dhe LSI, nuk do ta ketë të lehtë punën e saj, për faktin se koalicioni Berisha- Meta, me zor shkon te 74-75 mandate deputetësh në Kuvend, ndërkohë që nga ajo çka parashikon Kushtetuta, rezulton se për miratimin e ligjeve të rëndësishme duhen të paktën 84 mandate deputetësh. Në këtë situatë, kësaj mazhorance të brishtë qeverisëse, e cila mund të pësojë lëkundje, tronditje pas çdo kërkese që mund të kenë partitë e vogla, i duhet patjetër bashkëpunimi me Partisë Socialiste gjatë këtyre katër viteve për të miratuar në Kuvend ligje të rëndësishme dhe për të përfunduar reformat e nisura, si reforma në drejtësi, ndryshimet në Kodet Penal, Civil, Ajror, Familjar, të cilat kanë mbetur pezull nga parlamenti i kaluar, apo miratimin e ligjeve organike të institucioneve të pavarura etj.
PSV 91 ishte pjesë e koalicionit “Aleanca Socialiste për Integrim” dhe bëri edhe fushatë në emër të saj duke kërkuar largimin e Berishës. Në këtë kuadër vendimi i Metës mendoni se do të ndikojë negativisht dhe tek elektorati i partisë suaj?
Dihet që koalicionet në fushatën zgjedhore u diktuan nga Kodi Zgjedhor, dhe brenda koalicioneve çdo parti zhvilloi fushatën e vet, në takime të veçanta me elektoratin e saj. Qenia në koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim” nuk e obligoi as z. Meta të konsultohej paraprakisht me PSV 91 për vendimin për bashkëqeverisje me Berishën në koalicionin PD-LSI, ndërkohë që Z. Berisha ftoi z. Meta dhe LSI dhe jo koalicionin “Aleanca Socialiste për integrim” në koalicionin qeverisës. Pra vendimi i z. Meta është i tij dhe strukturave të LSI dhe jo i “Aleancës Socialiste për Integrim”.
Zoti Koçi duke ndjekur modelin Nano dha dorëheqjen nga kreu i partisë pas arritjes të rezultateve jo të kënaqshme në këto zgjedhje. Do të ripropozohet emri i tij për në krye të partisë apo do të ketë të tjerë kandidatë?
Z. Koçi ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kreu i partisë. Në këto kushte nuk mund të ripropozohet emri i tij për në krye të partisë. Krahas dorëheqjes së z. Koci, edhe unë si sekretare e Përgjithshme e PSV91, gjithashtu, kam dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Nëse po kush janë ata?
Deri tani nuk është formalizuar apo bërë prezent ndonjë kandidaturë për kryetar të PSV91.
Pak kohë më parë Fatos Nano parashikoi humbjen e së majtës dhe madje pohoi se më 29 qershor do të ishte para PS-së. Mendoni se zoti Nano do ti kthehet apo duhet ti rikthehet politikës aktive?
Shkurtimisht thelbit të pyetjes suaj ”në se zoti Nano do t i kthehet politikës apo duhet t i rikthehet politikës aktive do i përgjigjesha pyetje, Pse jo. Fatos Nano, me ndjenjën e përgjegjësisë të themeluesit dhe kryetarit për 15 vjet të PS, në emisionin Opinion , ngriti probleme shumë të mëdha, (por jo për të parën herë, ato janë vënë prej kohësh në vëmendjen e publikut) në adresë të gjendjes në PS, por fatkeqësisht askush nuk guxoi të artikulonte qoftë dhe argumentin më të vogël për të bërë një reflektim apo reagim, për të mos thënë korrigjim apo korrektim sado të lehtë, të paktën për sytë e anëtarësisë dhe publikut të gjerë ndaj tyre. Në se këtë qëndrim ndaj problemeve të parashtruara nga z. Nano do ta emërtoja thjesht si indiferentizëm(në fakt kemi të bëjmë me qëndrime të ndërgjegjshme shpërfillëse të z. Rama i cili që me ardhjen në drejtimin e PS-së, ka deklaruar se Nano nuk është në projektet e axhendën e kësaj partie etj.), do të sillja në vëmendje rreziqet që rrjedhin nga indiferenca dhe heshtja, për të cilat shkrimtari politikan anglez Edmund Burke ka nënvizuar se "Poshtërsia ngadhnjen atëherë kur njerëzit e ndershëm rrinë duarkryq". Problemet serioze të parashtruara dhe parashikimet e z. Nano u vërtetuan. Tashmë zgjedhjet në Shqipëri e kanë nxjerrë produktin paraprak, sipas të cilit PS mbeti në “klasë”, mbeti në opozitë. PS e mbetur përsëri në opozitë, është ngërthyer, më tepër se kurrë, brenda për brenda, por dhe në marrëdhënie me gjithë spektrin politik të majtë, në probleme serioze, kapërcimi i të cilave kërkon një strategji e platformë ringritje, riformatimi, rikonfigurimi si i PS-së ashtu dhe i së majtës në tërësi, që nuk mund të bëhet në një ditë, por është një proces që kërkon përfshirjen e të gjithë kontributeve në Partinë Socialiste, aleatëve të saj politikë, të faktorëve progresistë si dhe të shoqërisë civile.
Në këtë proces thelbi i parë i ringritjes do të kërkojë të dish se çfarë dëshiron, dhe së dyti të gjesh kush do të realizojë atë. Parë në të dy aspektet procesi i ringritjes presupozon një “betejë idesh” mjeti i vetëm i pranueshëm i të cilit është argumentimi i arsyetuar mirë.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›