E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Laprakë, shpallet në kërkim dëshmitari okular, fshehu armën e krimit

Autori i Lajmit: red.
Vrasja e ndodhur dje në Laprak nga pakujdesia do të çojë përpara drejtësisë dy persona. Kjo përshkak se përveç arrestimit të autorit të krimit, policia ishte vënë në kërkim të një tjetër shtetasi, i cili ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe pas incidentit ka fshehur armën e krimit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë së Tiranës, sipas të cilave, Arben Basha, 25 vjeç, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. “Ky person ka qenë i pranishëm në dyqanin e shtetasit Donald Pregapuca, 22 vjeç, në kohën kur shitësi i pikës së këmbimit të pjesëve të automjeteve ka vrarë me armë zjarri viktimën e ngjarjes Edvil Koço, 22 vjeç”, thanë burimet nga policia. Sipas tyre, menjëherë pas ngjarjes, u arrestua autori i krimit Donald Pregapuca, 22- vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Tiranë. “I plagosuri Edvil Koco, u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku si pasojë e plagës së marrë në pjesën e kokës, ka gjetur vdekjen. Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i formuar u kryen të gjitha veprimet hetimore e procedurale si dhe u administruan të gjitha provat. Në sajë të hetimit, të kryer nga specialistët rezultoi se shtetasi Arben Basha, 25 vjeç, dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë momenteve të ndodhjes së ngjarjes dhe ka marrë armën e kryerjes së krimit, e më pas është larguar, ndërsa nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit po punohet intensivisht për kapjen e tij, tashmë të identifikuar.
Ky lajm është publikuar: 18/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›