E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina bie në liqenin e Shkopetit vazhdojnë sot kërkimet

BURREL- Do të vazhdojnë sot kërkimet për gjetjen e trupave të tre personave që humbën jetën aksidentalisht kur makina me të cilën po udhëtonin përfundoi në liqenin e Shkopetit.

Dy mjekë dhe një pasagjer dyshohet të kenë humbur jetën në aksidentin automobilistik, i cili ndodhi paraditen e djeshme në aksin rrugor Milot-Burrel.

Automjeti tip "Volsvagen" me targa TR 0403 U doli nga rruga në afërsi të vendit të quajtur "Sektori C" dhe pas disa saltrove ka rënë në një lartësi prej 100 metrash në liqenin e Shkopetit.

Një grup polumbarësh të Reneas kanë mbërritur dje rreth orës 15:00 në vendngjarje dhe kanë vazhduar kërkimet deri në orët e vona të mbrëmjes, por gjetja dhe nxjerrja e trupave të tre personave të aksidentuar ka qenë e pamundur.

Sipas policisë lokale, vetëm targa e mjetit është gjetur në sipërfaqe të ujit. Burime pranë grupit hetimor pohojnë se makina drejtohej nga Tahir Alku, mjek kirurg në Spitalin e Bulqizës. Mësohet se 65-vjeçari kishte qenë mbrëmjen e së enjtes mjek roje në këtë spital dhe paraditen e djeshme është nisur për në drejtim të Tiranës, ku banon prej disa vitesh.
Burime pranë grupit hetimor pohojnë se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe dhe pagjumësisë së drejtuesit të automjetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›