E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina e vjedhur e Gattusos gjendet në Tiranë

Që shqiptarët janë të dashuruar me automjetet luksoze, kjo nuk përbën lajm të ri, por ajo që nuk mund të mohohet është fiksimi për makinat e personazheve të njohura në botë. Viktimat e preferuara janë futbollistët, madje emra shumë të njohur të arenës ndërkombëtare.

Gjatë ditës së mërkurë, zyra antitrafik në Drejtorinë e Policisë Tiranë ka bërë të ditur sekuestrimin e automjetit tip Range Rover, që tre vjet më parë ishte në pronësi të Gennaro Gatussos. Më 2 tetor 2006, mesfushori i Milanit dhe i përfaqësueses italiane kishte denoncuar vjedhjen e automjetit të tij me targën CW542YG. Mjeti luksoz është futur në Shqipëri nga një qytetar italian nëpërmjet Portit të Durrësit.

Ajo është blerë nga një person nga Mamurrasi, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve, e së fundmi është zhdoganuar dhe pajisur me targa shqiptare (TR 0056 P). Në maj të këtij viti, Gattuso ka qenë i pranishëm në Shqipëri në miqësoren e Milanit me Kombëtaren B pa e imagjinuar se makina e tij e vjedhur do të gjendej pikërisht në Shqipëri. Range Rover i Gattusos nuk është rasti i parë i makinave të vjedhura që gjenden ose kanë lidhje me Shqipërinë.

Ekzistojnë edhe dy raste të tjera, me mjete që më parë i përkisnin mesfushorit anglez David Beckham dhe mbrojtësit legjendar të Milanit dhe Italisë, Franco Baresi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›