Makinat, heqja e doganës po favorizon biznesin
Ndryshimi i mënyrës së taksimit të automjeteve dhe bërja zero e tarifës së importit ka ndihmuar më së shumti bizneset. Krerët e Drejtorisë së Transportit Rrugor thonë se, veç mjeteve që përdoren nga individët, ka hyrje të mëdha të mjeteve të punës. “Ka filluar të rritet numri i mjeteve të punës. Pra, ato që i shërbejnë drejtpërdrejt biznesit, sepse është pikërisht kjo kategori biznesi e cila përfiton dhe është munduar ta shfrytëzojë këtë përfitim që ka për të rinovuar parkun e mjeteve që ka në dispozicion. Pra, mosha e mjeteve që po importon biznesi është më e re sesa mosha e mjeteve që përdorte deri më tani” - tha Pinari. Sipas të dhënave, në këto tri javë që kanë hyrë në fuqi ligjet për mënyrën e re të taksimit, ka shtim të importit të mjeteve. Drejtori i përgjithshëm thotë se ka një rënie të hyrjes së mjeteve të vjetra. “Në territorin doganor shqiptar është rritur fluksi i mjeteve të cilat importohen. Relativisht në momentin e regjistrimit neve na interesojnë shumë të dhënat teknike të mjetit dhe nga të dhënat operative që kemi deri tani numri i mjeteve që janë futur është relativisht në moshë të re. Pra, nuk kemi më importim të mjeteve shumë të vjetra”- thotë Pinari. Më datë 24 gusht hyri në fuqi heqja e tarifës së importit si dhe mënyra e re e taksimit të automjeteve që do të qarkullojnë në Shqipëri. Sipas të dhënave, rreth 100 automjete hyjnë çdo ditë në procedurat e doganës dhe më pas kryejnë targimin. Kjo shifër është më e lartë se periudha para 24 gushtit. Mjetet e reja paguajnë më pak taksë. Ato që janë prodhuar 3 vitet e fundit, nuk paguajnë taksë qarkullimi.