Rritja e akcizës favorizoi kontrabandën
Politika e taksave të larta në Shqipëri ka konfirmuar çdo herë një rritje të kontrabandës. Fenomeni është konfirmuar edhe së fundmi nga Ministria e Financave nëpërmjet një raporti zyrtar, ku është shprehur se sasia e importit të mallrave me akcizë ka rënë dukshëm. “Të ardhurat nga akciza që mbledhin doganat kanë rënë me 12 për qind kundrejt një viti më parë dhe -1.6 për qind më pak se parashikimi”, bëhet e ditur në raportin e fundit fiskal të hartuar nga Ministria e Financave dhe që i përket periudhës janar-korrik. Doganat mbledhin akcizën e karburantit të importuar dhe të birrës së importuar, si dhe të mallrave të tjerë që nuk taksohen me anë të pullës së akcizës. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se sasia e karburanteve të zhdoganuara për periudhën janar- korrik 2011 është 207 mijë tonë, me rënie vjetore 22.7 për qind, ndikuar edhe nga ndryshimet e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare dhe ngadalësimi i trendit ekonomik. Gjithashtu, sasia e cigareve të zhdoganuara për periudhën janar – korrik 2011 është 1,547 tonë, me rënie vjetore prej 28.5 për qind. “Meqenëse nuk kemi të dhëna për një reduktim të numrit të duhanpirësve sipas Institutit të Shëndetit Publik, rënia e importeve të cigares për këtë vit është shkaktuar pjesërisht nga shtimi i importeve në muajt e fundit të 2010-s, para hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës dhe një rritje e mundshme e rasteve të kontrabandës për këtë artikull në territorin e Republikës së Shqipërisë në përgjigje të rritjes së barrës tatimore”, analizon Ministria e Financave në raportin e saj, duke e pranuar në këtë mënyrë edhe rritjen e kontrabandës sidomos për cigaret. Sasia e birrës së zhdoganuar për periudhën janar - korrik 2011 është 17.4 milionë litra, me një rënie prej 12.5 për qind, e ndikuar nga rritja e prodhimit vendas të këtij artikulli. Kafeja e zhdoganuar për periudhën 7-mujore ka qenë 15.2 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, pikërisht për shkak të lehtësimit të barrës fiskale për këtë artikull. Analiza e Ministrisë së Financave ka treguar qartë se për mallrat që akciza është rritur në paketën fiskale të vitit 2010, importi i tyre ka rënë dukshëm dhe për artikujt që akciza është ulur importi është rritur. Në fakt kjo nuk ka shumë lidhje me rritjen konsumin e këtyre mallrave në vend, po me rritjen e kontrabandës për shkak të rritjes së barrës fiskale. Por ndryshe nga administrata doganore, nga administrata tatimore janë mbledhur nga akciza rreth 9.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 21.4 për qind dhe realizim të planit të rishikuar në masën 101.7 për qind. Tatimet mbledhin akcizën mbi cigaret dhe pijet alkoolike përveç birrës, përmes pullës së akcizës, si dhe akcizën e karburantit të prodhuar në vend. Të ardhurat gjithsej nga akciza për periudhën janar ‐ korrik arritën në rreth 21 miliardë lekë ose ‐0.2 % më pak se parashikimi sipas planit në buxhetin e rishikuar; krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, të ardhurat nga kjo taksë janë pothuajse në të njëjtin nivel. Akciza pësoi ndryshime të ndjeshme në qershor të vitit 2010, duke u ulur mbi kafen e papjekur (nga 70 lekë në 30 lekë për kg), u hoqën nga lista e mallrave me akcizë lëngjet e frutave dhe pijet freskuese, në grupin e nënprodukteve të naftës shtohet artikulli “naftë virgin” me nivel akcize 50 lekë për litër. Ndërsa u shtuan në listën e mallrave me akcizë: fishekzjarrët, gomat, pilat dhe bateritë primare, ambalazhet. Ndryshoi taksimi i llambave inkandeshente nga ad valorem në shumë fikse. Në fillim të vitit 2011 pati rritje të akcizës mbi cigaren, nga 50 lekë në 70 lekë për paketë.