E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS, nisin debatin për uljen e taksave

Sezoni i ri parlamentar sapo ka nisur me një kurs ndryshe të opozitës në Kuvend, e cila dje ka bërë një propozim për uljen e taksave. Deputetja e PS, Mimi Kodheli, anëtare në komisionin parlamentar të Ekonomisë, kërkoi të hiqet TVSH-ja për produktet bazë, me qëllim uljen e barrës fiskale. Mirëpo pak orë më vonë ka reaguar zv.ministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili ka lënë të kuptohet se qeveria nuk do të marrë në konsideratë këtë kërkesë, për shkak se, sipas Rushajt, Shqipëria e ka konsumuar tashmë uljen e taksave dhe për këtë fakt është vendi me barrën më të ulët fiskale në Rajon. Ndërsa deputetja e PS, Mimi Kodheli, e ka argumentuar propozimin me kushtet në të cilat gjendet vendi si rezultat i një krize të rëndë ekonomike. “Ka një rënie drastike të fuqisë blerëse, heqja e TVSH-së për produktet si veza, qumështi, buka e ilaçet dhe përgjysmimi për disa produkte të tjetra bazë, do të ishte e vetmja rrugë për lehtësimin e kësaj barre të rëndë fiskale që rëndon mbi ta”, tha Kodheli. Kodheli sqaroi më tej se PS do të jetë në Kuvend për të luftuar krizën ekonomike, duke mbështetur qytetarët shqiptarë. “Çmimet e ilaçeve janë rritur me 10%, ndaj e pamë shumë të rëndësishme që të hiqet TVSH mbi ilaçet, kjo është nisma që do të prezantojmë në Kuvend. Shqipëria paguan sot shumë taksa, do luftojmë në Kuvend që të lehtësohet barra fiskale. Të shohim si do të reagojnë oborrtarët e pushtetit, ne jemi në krah të qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi”, nënvizoi Kodheli. Ndërsa Alfred Rushaj bëri një bilanc të arritjeve ekonomike në Shqipëri, që, sipas tij, sollën ulje të madhe taksash, dyfishim të pagave si dhe ndërtimin e rrugëve të reja e shkollave. Sipas Rushajt, Shqipëria është një nga vendet me barrë më të ulët fiskale. Por nga ana tjetër të dhënat e fundit tregojnë se bilanci financiar i qeverisë u përkeqësua në gusht, pasi të ardhurat nga taksat gati janë ndalur. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se muajin e kaluar qeveria mblodhi nga taksat dhe burimet e tjera 17 milionë dollarë më pak të ardhura sesa plani i shkurtuar i buxhetit. Përmes politikës fiskale, shteti mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomi. Kur ai vendos për taksat që i grumbullon, transfertat, të mirat dhe shërbimet që parashikon të blejë, financimin e deficitit etj. Çfarëdo ndryshimi në nivelin e taksave ka efekt të drejtpërdrejtë në rrjedhat e përgjithshme ekonomike. Përmes instrumenteve të politikës fiskale ndikohet në punësim dhe nivel të çmimeve, në rishpërndarjen më të mirë të të ardhurës dhe pasurisë, në shtimin ekonomik, në rritjen e kursimit, në nivelin e investimeve, në çështjet e edukimit, arsimit, kulturë dhe shëndetësi. Masat e politikës fiskale mund të orientohen në përballimin e vështirësive afatshkurtra të nxitura nga rrjedhat e dëmshme në ekonomi dhe përmirësimin e tyre. Përveç në afate të shkurtra, politika fiskale mund të orientohet edhe në rritjen afatgjatë të të ardhurave për frymë të banorëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›