E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat, hiqet taksa për rishitjen, rritet kolaudimi

TIRANE- Taksa e shumëpërfolur që shqiptarët duhet të paguanin sa herë që e shitnin një makinë të përdorur, do të hiqet.
Ministria e Financave, sipas burimeve konfidenciale nga ky dikaster, që i është referuar sot “Gazeta Shqiptare”, është drejt finalizimit të paketës së re fiskale, e cila parashikon ndryshimin e disa taksave, si ajo e akcizës, por edhe ajo e makinave të vjetra në tregun e brendshëm.

Grupet e punës po punojnë paralelisht, si për buxhetin e rishikuar, që parashikon të ulë me 16 miliardë lekë shpenzimet buxhetore për 2011-ën, ashtu edhe për taksën e shitjes së makinave të vjetra, akcizën e birrës dhe atë të cigareve.

Pak kohë më parë ishte vetë kryeministrit Berisha, i cili porositi ministrin Bode të rishikohej kjo masë jopopullore dhe jorentabël.

Për të dekurajuar blerësit e makinave të vjetra “Gazeta Shqiptare” shkruan se në Ministrinë e Financave po diskutohet për një variant të ri të transferimit të kësaj takse në procesin e kolaudimit të automjeteve. Sipas këtij varianti sa më e vjetër të jetë një makinë, aq më shumë do të paguhet në formën e tarifës së kolaudimit.

Heqja e taksës pas shitjes së makinës së përdorur parashikon të zhbllokojë një proces, që po shtrembëron tregun, duke qenë se në shumicën e rasteve, shitësit u japin blerësve një akt përdorimi për makinën e blerë, për të mos rritur çmimin e saj në treg me koston e taksës plus.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›