Makinat në ankand me 10 lekë kilogrami
Në qytetin e Durrësit, më 27 korrik do të zhvillohet një ankand për shitjen e automjeteve të sekuestruara. Shitja do të bëhet me kilogram, ku të interesuarit do të paguajnë 10 lekë për çdo të tillë. Për shembull një sllon dhe këto tipe automjetesh nuk janë të pakta në këtë parking, mund të kushtojë 2000 lekë.
Po kështu edhe fuoristradat, BMW, e të tjera tipe të cilat gjenden te bllokuara në repartin e Rezervave të Shtetit në Shkozet të Durrësit do te kenë fatin që të blihen me 10 lekë kg, pasi ata do të shiten thjesht si skrap. Për këtë, autoriteti shitës, Drejtoria Rajonale e Rezervave Materiale te Shtetit në Durrës ka njoftuar ankandin që do të zhvillohet pranë kësaj drejtorie në lagjen nr.14 rruga " Bajram Tusha" Shkozet. Data e njoftuar e ankandit, sipas njoftimit, është 27 korriku dhe procedura standarde do të jetë ankand i hapur.
Objekti
Ky ankand interesant për çmimet e ofruara, kur duhen marrë në konsideratë edhe çmimet e tregut te mjeteve të përdorura se sa kushtojne pajisje të veçanta të kërkueshme në tregun e riparimit të mjeteve të shtrenjta, do të ketë si objekt shitjeje hekurishtet e përftuara nga automjetet dhe motoçikletat e konfiskuara, për të cilat Komisioni i Vlerësimit të Mjeteve, sipas njoftimit të dhënë për publikun, në mbështetje të udhëzimit nr. 160 të dt. 25. 01. 2007 (i ndryshuar) të Ministrit të Brendshëm i ka klasifikuar në material "hekur për skrap" në gjendje në ambientet e Drejtorive të Policive të Qarkut të Durrësit e të Beratit. Ato janë ndarë në lote, ku vlera maksimale e shitjes për sasinë totale dhe për secilin lot jepet respektivisht sipas një tabele të përcaktuar. Në lotin nr.1 janë të renditura Automjete dhe Motoçikleta të konfiskuara, gjendje në Drejtorinë e Qarkut Durrës.
Sipas pasqyrës së paraqitur për blerësit, njësia e shitjes është në kg, çmimi lekë 10, sasia e përgjithshme 206,565 kilogram, ndërsa vlera në lekë llogaritet të jetë 2. 065.650 lekë.