PS depoziton në kolegj kërkesën për Tiranën
Demokristianët- gati kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Shkodër. PD - kërkesa për Fierin dhe Shkodrën
Ka mbërritur dje në Gjykatën e Apelit në Tiranë kërkesa e tretë ankimore e Partisë Socialiste. Pasi ankimoi tre ditë më parë Fierin dhe Beratin, selia rozë ka dorëzuar dje dosjen voluminoze me kërkesën dhe materialet faktuese lidhur me pretendimet për procesin zgjedhor në qarkun e Tiranës.
Kërkesa për Tiranën ka në thelb të saj disa nënpika, ku së pari parashtrohen një sërë argumentesh, të cilat, sipas socialistëve, bënë të pamundur zhvillimin e një procesi të rregullt votimi dhe më pas numërimi. Nisur pikërisht nga këto parregullsi të pretenduara, PS-ja bënë të ditur në kërkesën e saj se rezultati i zgjedhjeve, i pasqyruar në tabelën përmbledhëse për qarkun e Tiranës, nuk është real dhe nuk reflekton vullnetin e zgjedhësve të kësaj zone.
Për rrjedhojë, PS-ja kërkon nga Kolegji Zgjedhor që të shpallë së pari të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për këtë qark dhe së dyti të shpallë të pavlefshme vendimin e këtij institucioni për rrëzimin e kërkesës së socialistëve, për rinumërim dhe rivlerësim të votave në 6 ZAZ-të, 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60 në këtë qark. Pjesë e këtij ankimimi është dhe një kërkesë e veçantë me të cilën PS-ja godet vendimin e KQZ-së, për të rrëzuar kërkesën ligjore të dy anëtarëve të këtij komisioni (Subashit dhe Lazajt) për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në këto 6 ZAZ. Ndërkohë që, edhe kërkesa e depozituar disa ditë më parë prej kësaj force për Beratin ka thuajse të njëjtën përmbajtje, pasi situatat janë thuajse identike. Mësohet gjithashtu se edhe demokratët kanë paraqitur deri më tani kërkesën e tyre ankimore për Fierin, ku kërkojnë rrëzimin e vendimit të KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për qarkun e Fierit dhe shpalljen e pavlefshme të 4 kutive me numër 3185, 3188, 3006 dhe 3196.
Të dyja forcat e mëdha, PS dhe PD, kanë përgatitur dosjet e tyre me kërkesat ankimore edhe për qarkun e Shkodres, ku PD-ja kërkon të shpallë të vlefshme numrin e votave të dala nga numërimi i kutisë së votimit me numër 0342, ndërsa PS-ja kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave për 4 ZAZ-të e këtij qarku. Një kërkesë tjetër për këtë qark kanë paralajmëruar se do të depozitojnë edhe demokristianët, të cilët kanë konfirmuar dje për "Shekulli-n" se do të kërkojnë pavlefshmërinë e procesit zgjedhor për të gjithë këtë zonë. Një kërkesë ka mbërritur në kolegj edhe nga Partia Konservatore, e cila ka ankimuar rezultatin e dalë në qarkun e Durrësit.