E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat pa doganë, sa taksa do të paguajmë

Të gjithë qytetarët që do të importojnë një makinë nga jashtë që sot nuk paguajnë doganë.Njëkohësisht, të gjithë ata që kanë në zotërim një makinë, nuk do të shkojnë më në sportele për të paguar taksën e qarkullimit dhe atë të regjistrimit. Ligji i ri tashmë në fuqi i ka ristrukturuar këto taksa dhe ato do të mblidhen përmes karburantit. Logjika e një prej ligjeve më të diskutuara të grupeve të interesit, por dhe Ministrisë së Financave ka të bëjë me dekurajimin e përdorimit të makinave të vjetra. Ndërkohë që një tjetër synim i ligjit është vendosja në një balancë të drejtë të taksës, që paguhet në bazë të përdorimit që i bën infrastrukturës dhe ndotjes që emetohet në mjedis.
Taksa e qarkullimit dhe e regjistrimit
Të dyja taksat, që më herët vileshin nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, tashmë janë strukturuar në një të vetme dhe që do të vilet përmes karburantit në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Ligji i ri Për Taksat Kombëtare shfuqizoi taksën që paguhej një herë në vit. Kështu, deri dje, çdo qytetar që kishte në pronësi një makinë, paguante 7500 lekë për një makinë me benzinë dhe 10 mijë lekë për një makinë me naftë si taksë qarkullimi. Ndërsa taksa e regjistrimit ishte 2400 lekë për të gjitha llojet e veturave. Me ligjin e ri nga sot makinat nuk do të paguajnë 2400 lekë në vit si taksë regjistrimi dhe as 7400 lekë në vit për makinat me benzinë dhe 10 mijë lekë në vit për makinat me naftë si taksë qarkullimi. Ligji i ri përcakton se taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 5 lekë për litër deri më 31.12.2011, pas kësaj date taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin caktohet në masën 7 lekë për litër. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Pra, kush do të qarkullojë më shumë, detyrimisht do të përdorë më shumë infrastrukturën dhe do të furnizohet më shpesh me karburant, çka e bën lidhjen mes të gjitha këtyre të drejtë. Kush qarkullon më shumë, paguan më shumë dhe, kush qarkullon më pak, do të paguajë më pak. Ky ndryshim në strukturën e taksave nuk pritet që të prekë buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor në vend, e cila do të jetë edhe drejtoria që do të zbatojë ligjin që nga  sot ka hyrë në fuqi.
Taksa e makinave të përdorura
Përfitues nga ligji i ri nuk do të jenë vetëm qytetarët që kanë në pronësi një makinë, por edhe ata që duan të importojnë një të tillë nga jashtë. Nga sot, kush importon një makinë, nuk do të paguajë më doganë. Po ashtu, kush blen/shet një makinë brenda vendit, nuk do të paguajë taksë shtesë. Synimi i financave në formulën e re është nxitja e importit të makinave me sa më pak vite përdorimi, pra inkurajimi i importit të makinave të reja dhe kjo duket që në formulën që ligji i ri ka në bazë të tij. Ai heq detyrimin e taksës së makinave të përdorura në import e në shitje brenda vendit dhe vendos një taksë të re vjetore për makinat e përdorura. E thënë më thjeshtë, kush blen apo importon një makinë, nuk paguan taksë për blerjen apo shitjen, por paguan një herë në vit një taksë tjetër për përdorimin e makinës. Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura takson më shumë makinat e vjetra. Sa më e vjetër të jetë makina, aq më shumë taksë vjetore paguan. Gjithashtu, paguajnë më shumë makinat me naftë sesa ato me benzinë. Formula e re: shumëzohet cilindrata e makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsinë për tri vitet e para janë 0, në vitin e katërt është 0.18 dhe rritet me 0.02 për 10 vitet e para. Më pas, koeficienti rritet me 0.04. Kështu, një makinë e vitit 1996 me naftë dhe me kubaturë 2500 cm3 do të paguajë nga sot 30 mijë lekë në vit, si taksë të makinës së përdorur. Ndërkohë që deri dje një makinë e vitit 1996 me naftë  paguante 2400 lekë taksë regjistrimi dhe 10 mijë lekë taksë qarkullimi, pra 12400 lekë në vit. Nga sot, pronari i këtij automjeti do të paguajë 17600 lekë më shumë dhe taksa rritet nga viti në vit. Gazeta boton tabelën për taksën vjetore që do të paguajnë tipa të ndryshme makinash sipas ligjit që hyn në fuqi sot.

Ngërçi në treg

Ndryshimi i ligjit për taksën e makinave të përdorura erdhi si një kërkesë pas ligjit që në fakt u miratua një vit më parë për shitjen e makinave brenda vendit. Kjo stopoi në mënyrë të menjëhershme shitjen e makinave dhe krijoi ngërç në treg, aq sa u bë shqetësues. Shumica e atyre që donin të shisnin një makinë, preferonin të vepronin me akte noteriale, sesa të paguanin një taksë që mund të kishte një vlerë relativisht të lartë. Ministria e Financave, për të çliruar tregun, hartoi ligjin e ri.

Konfuzioni

Ministria e Financave sqaroi në mënyrë të vazhdueshme që ligji i ri për makinat e që fal doganën e importit, nuk ka të bëjë me ligjin e faljes fiskale miratuar më herët. Dogana e importit u falet atyre që do të importojnë një makinë nga sot e tutje, ndërsa ligji për amnistinë u fal qytetarëve doganën dhe gjithë detyrimet e tjera, nëse ata paguajnë 50 për qind të principalit të detyrimit fillestar. Kjo është e vlefshme për ata që kanë importuar një automjet deri në 31 dhjetor të vitit 2010.

NDRYSHIMET E TAKSAVE

Deri dje paguhej

KUSH BLINTE NJË MAKINË:
Taksa e makinave të përdorura në import dhe në shitje brenda vendit
Llogaritja
Cilindratë (cm3) x koeficientin e naftës ose benzinës (respektivisht 25 dhe 20) x koeficientin e vjetërsisë, (0.5 për çdo vit nga data e prodhimit)

KUSH PËRDORTE MAKINË

Taksa regjistrimi
Të gjitha veturat
2400 lekë/vit

Taksë qarkullimi
Makinat me benzinë
7500 lekë/vit
Makinat me naftë
10 mijë lekë/vit

Nga sot do te PAGUHET

KUSH BLEN NJË MAKINË:
0 lekë për importin
0 lekë për shitjen

KUSH PËRDOR NJË MAKINË
Taksa e regjistrimit
0 lekë/vit
Taksa e qarkullimit
(deri më 31 dhjetor)
5 lekë/litër
Taksa e qarkullimit
(pas 1 janarit 2012)
7 lekë/litër

Taksa e qarkullimit të mjeteve të përdorura
Paguhet çdo vit sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit
(Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Koeficientet për vjetërsisë për tri vitet e para janë 0, më pas bëhet 0.18 dhe rritet me 0.02 për 10 vitet e para. Pas vitit të dhjetë, koeficienti rritet me 0.04)

SHEMBULLI

Çfarë fiton ai që blen një makinë
Më parë, me ligjin që zbatohej, për importin e makinës paguhej një taksë e cila llogaritej duke shumëzuar cilindratën me koeficientin e naftës ose benzinës (respektivisht 25 dhe 20) dhe me koeficientin e vjetërsisë (0.5 për cdo vit nga data e prodhimit). Në rast se një person do të importonte një makinë me naftë të vitit 1999, me një cilindratë 2200 kubikë, në doganën shqiptare do të paguante 330 mijë lekë. Kjo si llogaritje e formulës që ishte në fuqi, ku 2200 është cilindrata x 25 koeficienti i naftës x 6 koeficienti i vjetërsisë (12 vite x 0.5 për çdo vit) = 330 mijë lekë.
Nga sot, taksa e importit të makinave të përdorura hiqet. Pra, kush kërkon të blejë një makinë, nga sot shmang, në rastin tonë, pagimin e 330 mijë lekëve si doganë. Kështu, ligji i ri favorizon dukshëm importin e makinave.

Çfarë humbet ai që ka një makinë
Por për një person që aktualisht ka në përdorim një makinë të vitit 1999 me cilindratë 2200 kubikë dhe me naftë, ligji i ri i shton taksat. Deri dje, përdoruesi i një makine të til

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›