E Diel, 1 Nëntor 2026

Hana: ISKSH rrit pagat për mjekët dhe infermierët

23/08/2011  Mjekët e familjes, rritja nga 2-5% në varësi të qendrës ku shërbejnë, infermierët 3%

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor komunikoi dje vendimin për rritjen e pagave për 9 300 mjekë dhe infermierë të shërbimit shëndetësor parësor. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se, për mjekët, rritja e pagave do të jetë nga 2% deri në 5%, në varësi të pozicionit gjeografik ku shërbejnë, ndërsa për infermierët pagat do të rriten në masën 3%. Sipas znj. Hana, në vlerë absolute, pagat për mjekët e zonave qendrore do të rriten me 2.500 lekë, ndërsa pagat e mjekëve që punojnë në zonat malore, që aktualisht paguhen më shumë për efekt të vështirësisë, do të rriten me 1.500 lekë. Për infermierët, pagat do të rriten me 1.000 lekë. Efekti financiar i vendimit do të jetë rreth 72 milionë lekë dhe rritja e pagave do të llogaritet që nga data 15 korrik e këtij viti.

Politikat e rritjes së pagave

Pagat e mjekëve dhe stimulimi i punës së stafit mjekësor mbetet një prioritet i pandryshuar i qeverisë, politikë e cila reflektohet edhe në rritjen e pagave që ISKSH miratoi dje për mjekët e familjes dhe të gjithë stafin e qendrave shëndetësore në mbarë vendin. Gjatë konferencës për shtyp Hana bëri të ditur se rritja e pagave për mjekët, në varësi të pozicionit gjeografik, shkon nga 2% - 5%, me rritje deri në 8% për zëra të caktuar të pagës. Në këtë mënyrë sipas ndryshimeve të parashikuara pësojnë rritje 4,2-5% ose 2.500 lekë në muaj pagat mujore bruto të mjekëve në zonat qendrore, fushore e kodrinore ku punojnë mbi 1.200 MPF ose rreth 72% e numrit të përgjithshëm të mjekëve, ndërsa pagat e mjekëve në zonat malore e të thella malore pësojnë një rritje rreth 2% ose 1.500 lekë në muaj.

Mjekët specialistë

Paga mujore bruto e mjekut specialist me vjetërsi pune mbi 25 vjet varion nga 51.500 lekë në 54.500 lekë. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 300 mjekë specialistë me një efekt financiar deri në fund të vitit 2011, në paga e sigurime shoqërore e shëndetësore prej rreth 4.4 milionë lekë. “Theksojmë se një mjek në zonën qendrore me ngarkesë normale pra 2000 banorë, me vjetërsi pune 25 vjet dhe që kryen mbi 12 vizita në ditë, do të paguhet me një pagë mujore bruto rreth 53 mijë lekë, ndërsa një mjek në zonat e thella malore që kryen 6 vizita në ditë do të paguhet me pagë mujore rreth 82 mijë lekë”, nënvizoi më tutje Hana. Sipas saj, nga kjo rritje përfitojnë rreth 1650 MPF me një efekt financiar 5/mujor për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore rreth 22.7 milionë lekë.

Pagat e infermierëve

Paga e personelit infermieristik në total pëson një rritje rreth 3%. Theksohet se pagat e infermierëve ndryshojnë në elementin e pagës për pozicion. Në vlerë absolute kjo pagë pëson një rritje prej 1.000 lekësh. Nga 15 korriku pagat e infermierëve me arsim të mesëm profesional, arrijnë deri në 35.000 lekë, e infermierëve me arsim të lartë arrijnë deri në 38.000 lekë, ndërsa pagat e kryeinfermierëve arrijnë në 40.000 lekë. Nga kjo rritje përfitojnë mbi 6700 infermierë, me një efekt financiar deri në fund të vitit 2011, në paga e sigurime rreth 39 milionë lekë.

Efektet financiare

Në total efektet financiare nga rritja e pagave për rreth 9.300 punonjës arrin në 71.5 milionë lekë, (pagat 61.3 milionë lekë dhe kontributi sigurimeve 10.2 milionë lekë). Efektet financiare mbulohen nga buxheti i ISKSH-së për shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor. Zbatimi i ndryshimit të pagave fillon nga data 15 korrik 2011. Drejtoresha e ISKSH-se, Hana, u shpreh gjithashtu se tashmë janë shpërndarë pagesat për performancë për mjekët e qendrave shëndetësore, të cilët kanë bërë një punë të lavdërueshme duke realizuar treguesit në masën 84%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›