Makro-ekonomia dhe opozita e ngatërruar shqiptare
Makro-ekonomia është orientimi politik, i cili si subjekt diskutimi përsëritet çdo katër vjet në masmedia, ku na dalin “specialistët” për të na e shpjeguar si qëndron puna. Punë e komplikuar kjo ekonomia, shumë rryma, shumë filozofira, shumë interpretime, shpesh të kundërta dhe të orientuara sipas mideve politike të partive. Mjaft nga këta “specialistë” të origjinave të ndryshme gati na mbushin mendjen se ata posedojnë të vërtetën absolute mbi rrugën që duhet të ndjekim. Kuptohet, si rregull gjithçka çfarë është ndjekur para është e “gabuar” dhe përherë duhet filluar nga e para. Si nëntemë e preferuar është politika fiskale, e cila pas çdo periudhe zgjedhore u dashka ndryshuar. Vendin e dytë e zë tema e investimeve në infrastrukturë dhe vendin e tretë privatizimi. Pra, investimet në infrastrukturë janë kryer “gabim” - thotë opozita, dhe në privatizimet është vjedhur. Si përfundim pozita është e korruptuar, ndërsa opozita është qelibar e pastër, prandaj duhet votuar. Poshtë pozita, lart opozita. Kështu lind “rilindja” dhe pastaj fillon avazi nga e para.
Shqipëria – vend i pasur me burime natyrore, me popullsi të re në moshe, pra një nga vendet më të pasura me resurse. Këtë e dinë të gjithë. Atëherë ku është problemi? Pse kjo situatë, kjo pasuri nuk reflekton dhe në nivelin e jetesës së shqiptarëve? Mund ta shtrojmë problemin dhe ndryshe. Pse në vitet 2000 – 2005 nuk patëm të njëjtin zhvillim të ekonomisë dhe të nivelit të jetesës si dhe në periudhën 2005 – 2013? Kësaj pyetje e ka të vështirë PS-ja ti japë përgjigje, pasi s’ka kë të akuzojë për periudhën kur ishte vetë në fuqi, e tani u erdhi goja dhe na japin mënd se si duhet bërë politika makro-ekonomike. Pale, na thonë se do “Rilindim”, luajnë rolin e kritikut pa dhënë asnjë ide alternative reale. E gjithë propaganda opozitare e zgjedhjeve mbështetet në pakënaqësitë e natyrshme të popullatës, e cila me të drejtë është e lodhur nga tranzicioni i gjatë. Po pse opozita e sotme nuk i aplikoi vetë këto marifete fiskale dhe të na e ngrinte standardin e jetesës atëherë kur ishte në fuqi? Pse nuk bëri investime, rrugë, autostrada, etj.? Pse nuk i rriti rogat, dhe pse nuk hapi vende pune? Në atë periudhë niveli i jetesës në Shqipëri ishte sa gjysma e kësaj që është sot. Pra manipulohet pakënaqësia e popullatës dhe mohohen arritjet, pa na dhënë një program ekonomik alternativ real. Ky spekulim kryhet për t’iu shmangur situatës (në fushatën e zgjedhjeve), pasi është momenti kur detyrimisht duhet të paraqesë programe të detajuara të politikës makro-ekonomike, të cilat do i aplikojë në rastin e marrjes së maxhorancës në Kuvend. Pra të na premtojë diçka të mirë, pozitive, të na japë shpresa për një jetë më të mire dhe jo vetëm hakmarrje. Me fjalë të tjera, si variant më të lehtë, mund të themi se opozita nuk ka programe, pasi varianti më negativ është atëherë kur na lindin dyshime, se ajo e ka një program të tillë, por e fsheh dhe nuk e paraqet.
Mungesa e transparencës në politikë sjell pasoja të tjera shumë më të rënda. Një arsye e parë për këtë mungesë të transparencës, mund të konsiderohet për këtë rast, se kemi të bëjmë me një program tejet antipopullor ekonomik, siç mund të jetë një program i vjedhjeve masive, një program shkatërrimi, një bllokim zhvillimi, një destrukturim makro-ekonomik i vendit për interesa të ngushta lokale. Mund të imagjinojmë ndryshime të frikshme në objektivat e perspektivës, në prioritetet ekonomike, në riorientimin e marrëdhënieve ekonomike rajonale etj. Nëse të gjitha këto përputhen vetëm me objektivat e PS-së dhe jo të gjithë popullit, do kemi rritje të konflikteve të brendshme dhe destabilizim të vendit. Po nëse të gjitha këto do përkojnë me interesat e vetëm të një individi që rastësisht drejton opozitën e spastruar, atëherë rivendosja e diktaturës bëhet e pashmangshme. Pra mbi bazën e këtij arsyetimi kam filluar të kuptoj sensin e sloganit “Rilindja”, pasi fillimisht e kisha shumë të paqartë se çfarë do rilindi. Vetëm kjo logjikë restaurimi, i jep sens dhe i bën të kuptueshme lojërat e fjalëve të Ramës, që shoqërohen me një lumë sharjesh dhe ofendimesh të stilit barok.
Vallë mos jemi në udhëkryq tani dhe na duhet të zgjedhim prapë orientimin? Rruga liberale e zhvillimit ekonomik apo ekonomia sociale, diktatura e varfërisë së përgjithshme?! - kjo është një dilemë e pranishme në tërë diskutimet e politizuara të medias së majtë, të cilat kanë si qëllim tërheqjen e vëmendjes së publikut në fushën e teorisë, pa ndonjë rezultat konkret për ditët e sotme që po përjetojmë.
Një vëzhgues i paanshëm e konstaton menjëherë efektet pozitive të orientimit liberal në ekonominë shqiptare të tetë viteve të fundit. Rrogat u dyfishuan, investimet janë kryer në të gjitha fushat, vendet e punës janë shtuar, eksporti është rritur, shpenzimet buxhetore janë ulur, shkollat dhe spitalet janë shtuar, administrata është pakësuar dhe është informatizuar, inflacioni është zvogëluar, kreditimi është rritur. Pra rezultatet janë të dallueshme pa hyrë në hollësira. Kush ka sy, le të shkoje ti shohë autostradat, rrugët, universitetet dhe spitalet e reja private të ngritura. Ato nuk luajnë prej vendit sot e 100 vjet këtej e tutje. Prishtina u lidh me Tiranën, po kështu dhe Elbasani u bë lagje e Tiranës. Me kësmet nesër do lidhet dhe Dibra e Madhe, e me tej Shkupi. Këto janë gjëra tejet të rëndësishme, që as i kishim ëndërruar më parë dhe sot janë realitet i pamohueshëm.
Rumania zgjodhi rrugën e rritjes së fiskalitetit, ekonomia e saj po shembet nga dita në ditë. Çmimet rriten, rrogat ulen, kredit shtrenjtohen, vendet e punës po pakësohen. Po vdesin qytetet e vogla dhe të mesme industriale, firmat e vogla po falimentojnë përditë, nga ana tjetër po pasurohen spekulatorët dhe politikanët. Në zgjedhjet e vitit 2012 fitoi e majta me slogane të hakmarrjes dhe pa dhënë asnjë program. Po mbushet gati një vit që kur hipi në fuqi dhe akoma nuk po shohim asnjë rrugë-dalje për ekonominë rumune. Ky shembull meriton të merret për bazë kur diskutohet, pasi është kontrasti më i mirë, ku shihen qartë efektet e zgjedhjes së gabuar, të një politike të dështuar. Rezultatet flasin vetë s’kanë nevojë për shpjegime të ndërlikuara. Miqtë e Ramës këtu janë në fuqi, janë pikërisht ata që e mbështetën politikën bllokuese të tij dhe sot Europa jua bllokoi atyre hyrjen në Shengen për korrupsion. Që ti shpëtojnë burgut po bëjnë çmos të marrin prokurorinë dhe gjykatat. Ky është rezultati i zgjedhjeve pas një viti, tema e ditës është: kush do bëhet Prokuror i Përgjithshëm? Javën e kaluar njoftuan ulje 15 % të rrogave dhe ulje 60% të investimeve.