Rikthimi i investimeve dhe valutës drejt vendeve të zhvilluara
Po mbushen plot pesë vjet që vendet e zhvilluara po kërkojnë me ngulm rritjen ekonomike të tyre. Kohët e fundit po debatohen programe të shumta politike për të rritur punësimin. Natyrisht një aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe valuta e vendeve të zhvilluara madje gjithmonë dhe më shumë po flitet për një luftë valutash. Zhvendosja e valutave gjithmonë dhe më shumë drejt Orientit tashmë është një fakt i pamohueshëm por vendet e zhvilluara po përpiqen që këto depozita të fillojnë dhe të kthehen sërish në Perëndim. Pak kohë më parë vende si Kina filluan që të investonin drejt vendeve europiane si Hungaria apo edhe si Moldavia. E njëjta dukuri po ndodh edhe me një vend si Katari të cilët pasi kanë blerë gjashtë ishuj në vendin fqinj të Greqisë tashmë i kanë hedhur sytë dhe nga Anglia. Interesant është fakti se titulli Marks & Spencer ka fituar më tepër se 9%, në Bursën e Londrës pas zërave këmbëngulës sipas të cilave fondi i investimit të Katarit duket i gatshëm të lëvrojë rreth 8 miliardë stërlina (një vlerë kjo që arrin në 12 miliardë dollarë) për supermarketet angleze. Marks& Spencer cilësohet si një ndër firmat më të mëdha të veshjeve në Britaninë e Madhe dhe kohët e fundit kishte pësuar një rënie të madhe, madje përgjatë festave të Krishtlindjeve shitjet kishin pësuar një rënie me 1,8%. Nga autoritetet e Investimit të Katarit është bërë e ditur se shumë prej shoqërive të tyre, të ndihmuar edhe nga bankat, kanë bërë një ofertë të parezistueshme sepse kapitali i tregut aktual është rreth 6,5 miliardë sterlina ndërsa nga Katari oferta ka ardhur me plot 8,1 miliardë sterlina. Sipas agjencisë Reuters, e cila citon burime anonime, askush nuk ka bërë një ofertë të tillë por gjithsesi nuk ka patur ende deklarata zyrtare që të kundërshtojnë këtë, ndërsa firma prestigjoze nuk ka dashur të komentojë për këtë fakt. Ndërkaq fondi i Katarit ka kryer shumë investime në Britaninë e Madhe duke blerë Harrods por edhe një pjesë të mirë (26% të supermarketeve Sainsbury) po aq edhe të një pjese të aeroportit të Londrës Heathrov. Nga ana tjetër javën e kaluar kanë nisur negociatat mes Katarit dhe qeverisë angleze për një investim që arrin në 10 miliardë sterlina kryesisht për projekte të infrastrukturës të cilat do t’i jepnin një nxitje të madhe ekonomisë së Britanisë së Madhe. Duket se këto investime që vijnë prej Katarit bëhen gjithmonë dhe më të domosdoshme për Europën në një kohë që po debatohet gjithmonë dhe më shumë për daljen përfundimtare nga kriza. Vetëm pak kohë më parë emiri i Katarit, Hamab bin Khalifa al Thani kishte blerë 6 ishuj në detin jon ndërsa përballë Itakës kishte blerë arkipelagun Ekinadi për 8,5 miliardë euro. Kanë mjaftuar 18 muaj për të mbyllur gjithçka që nga koha kur emiri kishte ankoruar yahtin e tij për herë të parë gjatë pushimeve në vendin fqinj të Greqisë. Kjo shifër ishte konsideruar si investimi më i madh që prej kohës që në vendin fqinj ka filluar kriza. Natyrisht emiri konsiderohet si një ndër njerëzit më të pasur të botës dhe ka investuar edhe në vendin fqinj të Italisë si në supermarkete apo edhe në Kosta Smerlda. Natyrisht objektivi i emirit nuk ka qenë ndërtimi i një resort turistik në një prej ishujve grekë por blerja është bërë kryesisht për familjen e tij të madhe (flitet se ka 24 fëmijë dhe tre gra). Emiri Al thani i cili shpreson të kalojë pushimet në shtetin fqinj duket se ka filluar të dërgojë arkitektët për të filluar ndërtimin e shtëpisë edhe pse ka gjetur pengesa. “Ka një ligj që thotë se nuk ka rëndësi sesa tokë ke, sepse nuk mund të ndërtosh një shtëpi më të madhe se 250 metra katrorë. Emiri ka insistuar se vetëm banjo e tij është 250 metra katrorë ndërsa kuzhina arrin në 1000” – kështu ka deklaruar kryebashkiaku i Itakës Janis Kasianos. Duke se emiri për të përshpejtuar proçedurat ka vendosur që t’i dhurojë edhe fqinjëve tubacionet e ujit me të cilat do të furnizohet ishulli. Kjo ka qenë një prej blerjeve më të fundit të Al Thanit, fill pas vizitës që kryeministri i Greqisë, Antonio Samaras kreu në Doha një muaj më parë. Nga ana tjetër Fondi i Katarit është pothuajse në përfundim të blerjes të aeroportit të Athinës që do t’i shërbejë për kompaninë e avionëve të Katarit të cilët po shfaqin interes edhe për blerjen e hotelit Astir Palace ndërsa banka e Katarit po kërkon që të blejë edhe pjesë të bankës kombëtare greke që cilësohet si grupi më i vjetër i bankave greke.