E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Velo tregon Parisin

Artisti Maks Velo prezanton nesër në orën 18:30 në kafe "Amaltea" ekspozitën "Vizatime nga Parisi". Ekspozita përmban punë të realizuara me pastel dhe bojë kine. Velo në këtë prezantim tregon qytetin e lindjes, Parisin nëpërmjet syve të tij. Aktiviteti realizohet në kuadër të "Pranverës së frankofonisë".


Velo është një artist vazhdimisht në kërkim. Ai krijon në disa disiplina të artit të të shkruarit si poezi, publicistikë, prozë, dhe të vizatuarit si pikturë dhe arkitekturë.

Qytetit të lindjes Velo i ka kushtuar vëllimin e fundit me poezi "100 poezi", i cili shoqërohet edhe me disa skica të veprave monumentale që e identifikojnë menjëherë qytetin e dritave, me katedrale, rrugë, ura, etj. Para disa kohëve ai bëri dhe një prezantim të punëve kushtuar Parisit.

Helidon Haliti ekspozon në "Mezuraj"


Piktori Helidon Haliti çel ekspozitën vetjake në muzeun "Mezuraj", nesër në orën 19:00. Janë përzgjedhur për tu ekspozuar rreth 58 punë të teknikave dhe përmasave të ndryshme. Pikturat ekspozohen sipas një kriteri të ri.

Secila prej tyre do të ketë përreth një hapësirë të madhe duke shmangur kështu vendosjen lineare të pikturave pranë njëra-tjetrës. Punët janë të ndara në disa rrafshe.

Peisazhet, të cilat janë krijuar në akuarel; portrete që qëndrojnë vetëm dhe të tjera ku shquhet kombinim i shumë portreteve; kompozime që lidhen me figura mitologjike, si ajo e Kostandinit dhe Doruntinës; motivet e miteve antike si rrëmbimi i Evropës mbi një dem; kompozicionet me motive cirku, nudot etj.

Punët janë krijuar në teknika të ndryshme si akuarel, bojëra uji, ngjyra vaji, akrilik etj. Kjo është ekspozita e parë e plotë e autorit i cili është diplomuar në vitin 1993 në Akademinë e Arteve në degën e pikturës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›